Nëse do t’u atribuojmë bindje politike shpendëve, atëherë është e qartë se pulëbardha do të ishte e ekstremit të djathtë, më konkretisht e ekstremit të djathtë anglez, kokë e rruar, e dhunshme, e dashuruar pas zonave bregdetare dhe një bullizues që të vjedh patatinat sapo t’i kthesh shpinën...
Emri kolektiv për një grup bufash është “parlament”. Me sa duket, sepse, ashtu si politikanët, ato kanë sy të futur thellë, gishta që drejtohen në kahje të ndryshme dhe e gëlltisin prenë e tyre të tërën.
Fatkeqësisht, nuk ekziston një emër kolektiv për politikanët. Por nëse dikush do të vendoste të lëshonte disa bufa në një sallë legjislative, atëherë do të kishim një parlament brenda një parlamenti, gjë që do t’i bënte shumë të lumtur gazetarët që shkruajnë tituj në mbarë botën.
Dhe kjo na çon, disi me elegancë, ose të paktën afërsisht, te Miroslav Radaçovský, i cili këtë javë u emërua ambasador i Sllovakisë në Qipro. Kur ishte deputet i Parlamentit Evropian në vitin 2024, Radaçovský lëshoi një pëllumb të gjallë nga një çantë në sallën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, çka do të thotë se zogu ka një rekord pjesëmarrjeje më të mirë se shumica e ligjvënësve të Bashkimit Evropian.
“Dua ta lëshoj këtë pëllumb të lirë si simbol të paqes, për të treguar se Evropa ka nevojë për paqe. Le ta lëmë këtë pëllumb të na bashkojë të gjithëve”, tha ai, duke e bashkuar bllokun evropian përmes faktit se zogu i tmerruar e ndoti me jashtëqitje të gjithë sallën plenare.
Radaçovský duket se nuk kishte mësuar asgjë nga papa. Në vitin 2014, Papa Françesku dhe disa fëmijë lëshuan në mënyrë të ngjashme dy pëllumba të bardhë nga Pallati Apostolik gjatë lutjes javore Angelus të kreut të Kishës Katolike. Pëllumbat u sulmuan menjëherë nga një pulëbardhë dhe një sorrë. Kjo, siç me siguri do ta dokumentojnë një ditë historianët, ishte pikërisht çasti kur bota mori tatëpjetën drejt kaosit.
Megjithatë, nëse do t’u atribuojmë bindje politike shpendëve, atëherë është e qartë se pulëbardha do të ishte e ekstremit të djathtë, më konkretisht e ekstremit të djathtë anglez, kokë e rruar, e dhunshme, e dashuruar pas zonave bregdetare dhe një bullizues që të vjedh patatinat sapo t’i kthesh shpinën.
Pëllumbi, nga ana tjetër, do të ishte i gjelbër politikisht, pasi gjendet pothuajse ekskluzivisht në zonat urbane dhe konsiderohet si bezdi nga shumë njerëz.
Yjet e qiellit, zogjtë starling, do të ishin socialistë, sepse bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët përmes lëvizjeve të tyre të ndërlikuara në tufa të mëdha, por janë gjithashtu të prirur për konflikte të brendshme, shpesh deri në vdekje.
Flamingot do të ishin monarkistë, duke të parë nga lart me përbuzje, ndërsa qukapikët do të ishin anarkistë, duke ngritur bazat e tyre në pyje dhe duke u përfshirë në sjellje ekstreme, si përplasja e kokës pas trungjeve të pemëve.
Kolibrat do të ishin liberalë, tolerantë dhe me shpirt të lirë, por njëkohësisht jashtëzakonisht territorialë, ndërsa pinguinët do të ishin konservatorë, të veshur përherë me “kostumet” e tyre dhe duke u përpjekur të gjejnë një partner për gjithë jetën.
Natyrisht, asnjë përkatësi politike nuk mund t’i atribuohet rosës së egër mallard, i vetmi shpend për të cilin është dokumentuar se është përfshirë në nekrofili homoseksuale./Përshtati "Pamfleti" nga "Politico"
Lini një Përgjigje