Forum29 Shkurt 2024, 19:39

Piramidat financiare terror qytetarëve, drejtësia hesht përballë zhvatjes nga përmbaruesit hajdutë të mikrokredive

Shkruar nga Ola Xama
Piramidat financiare terror qytetarëve, drejtësia hesht
Micro Credit Albania

Drejtësia ka të identifikuar ideatorët, disa nga bashkëpunëtorët, bashkë me dokumentacionin që e vërteton këtë. Përse ka 4 vjet që nuk vepron dhe lejon të vazhdojë grabitja?!

I kishin mbetur pa shlyer 50 mijë lekë të vjetra nga një kredi që kishte marrë në bankën Societe Generale. Detyrimi i shitet kompanisë së mbledhjes së borxheve Micro Credit Albania. Kësaj shume i shtohen penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. I bllokojnë dy apartamente në Tiranë, të cilat nuk u liruan as kur u pagua detyrimi.

Duket e pabesueshme që në vitin 2024, dikush që është dorëzanës për kredinë e një miku i merret shtëpia për një detyrim të mbetur me vlera qesharake. Një tjetri i është ngatërruar emri, por prona i është sekuestruar për 8 vjet dhe vazhdon e bllokuar. Qindra të tjerë që kanë patur detyrim të pashlyer, janë detyruar të marrin dhe të paguajnë në fund 2 deri në 3 herë më shumë.

Për mua nëse ka një test për drejtësinë e re, është ky. Ka katër vjet që një skemë mashtrimi që po tjetërson pronat e mijëra familjeve është denoncuar nga Ministria e Drejtësisë dhe organet e drejtësisë bëjnë ‘ping-pong’.

Disa përpiqen ta trajtojnë si një luftë mes një grupi përmbaruesish për të kapur dhe përvetësuar sa më shumë. Dhe pse duket një lojë pushteti dhe parash, kjo ‘përplasje’ shërbeu për të zbuluar aferën e cila po kërkon të mbytet nga njerëz që vazhdojnë grabitjen e pronave të qytetarëve. Në skemë janë individë shumë të fuqishëm, në qeveri, banka dhe drejtësi, që po përpiqen të mbyllin skandalin e zhvatjes të 17 mijë qytetarëve!

Po si ka funksionuar kjo skemë?

Institucioni Micro Credit Albania ka blerë një pjesë të portofolit të kredive të humbura nga bankat e nivelit të dytë. Fillimisht nisi bllokimin e pasurive të patundshme dhe i detyronte të merrnin kredi pranë saj me interesa shumë të larta.

Skema më pas zgjerohet dhe në lojë hyjnë disa zyra përmbarimi, notere, agjenci imobiliare punonjës të bankave dhe kadastrës. Lidhjet dhe bashkëpunimi i këtij grupi është hetuar nga Ministria e Drejtësisë, por raporti i dorëzuar në prokurori nuk ka të gjithë emrat e bashkëpunëtorëve. Janë hequr disa zyra që sot po bëjnë ankande fiktive dhe po marrin pronat duke i regjistruar në emër të institucionit MCA.

Drejtësia ka të identifikuar ideatorët, disa nga bashkëpunëtorët, bashkë me dokumentacionin që e vërteton këtë. Përse ka 4 vjet që nuk vepron dhe lejon të vazhdojë grabitja?!

Sot kryesuesit e skemës së mashtrimit që kanë përvetësuar miliona euro pasuri jetojnë të lumtur në Paris. Një skandal me këto përmasa dhe 17 mijë të prekur, siç thotë në intervistën e dhënë në Kronos  Pano Soko, do të testonte qeverinë dhe jo vetëm drejtësinë!