TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Shtator 2024, 08:00

Prapaskenat për krijimin e “shtetit bektashi”, çfarë duhet të dijë SPAK!

Shkruar nga Spartak Ngjela
Prapaskenat për krijimin e “shtetit bektashi”,
Spartak Ngjela

Po SPAK, a e ka parë në thellësi këtë çështje, që, provokimi i kryeministrit të Shqipërisë në mënyrë publike dhe me theksim të pastër kundrejt një etnie në Shqipëri, sipas Kodit Penal në fuqi, është ose jo një vepër penale?

Shqipëria etnike nuk mund të cenohet.

Nuk është mendim i qartë ai i cili nuk të jep një përfundim pas një pyetjeje që ti vetë ke ngritur.

Kjo duhet të jetë një pyetje e cila prek në thelb një vlerë të madhe, të përgjithshme të një shoqërie të caktuar brenda një shteti juridik kushtetues, ashtu siç është edhe Shqipëria.

Cila mund të ishte një pyetje e tillë që mund të ngrihej sot në Shqipëri?

Një pyetje e tillë është kjo:.

Pse Rama gjeti pakicën kombëtare të arumunëve (vllejve) për të krijuar një pështjellim ndëretnik në Shqipëri? 

Ajo që dëgjuam nga kryeministri i Shqipërisë për krijimin e shtetit të vet nga etnia e arumunëve, brenda territorit të Shqipërisë, mund të jetë një keqdashje apo ligësi e vjetër e Edi Ramës, e cila ndoshta kishte shumë vite që vegjetonte e pa trazuar në shpirtin dhe mendimin e tij antikombëtar.

Gjithsesi, tani u kuptua qartë se pakica arumune nuk e pranoi kërkesën malinje të Ramës; por ne nuk e dimë se çfarë bën Rama tani dhe çfarë do të bëjë SPAK për këtë çështje.

A do të qëndrojë në heshtje SPAK përballë këtij provokimi, kur kuptohet se kërkesa mediatike e Edi Ramës, po të realizohej, do të krijonte destabilitet ndëretnik në Shqipëri?

Edhe pse ajo që reklamoi Rama ishte një kërkesë e pa arritur, sepse nuk e pranoi struktura më e lartë e  komunitetit arumun në Shqipëri, ajo që duhet të pyesim këtu është kjo?

Po Edi Rama, si kryeministër, e di që mund t'i kërkohet të mbajë një përgjegjësi ligjore për një provokim ndaj një etnie, në një kohë kur kryeministri i Shqipërisë është i detyruar me normë kushtetuese që të mos ndërhyjë në çështjet etnike në Shqipëri?

Po SPAK, a e ka parë në thellësi këtë çështje, që, provokimi i kryeministrit të Shqipërisë në mënyrë publike dhe me theksim të pastër kundrejt një etnie në Shqipëri, sipas Kodit Penal në fuqi, është ose jo një vepër penale?

A e ka analizuar SPAK që forca politike e kryeministrit Rama, po të bashkohej me forcën e një pakice etnike, mund të krijonte një gjendje të nderë në Shqipëri?

A e ka parë SPAK faktin që propozimi i kryeministrit Rama për krijimin e një shteti etnik brenda territorit të Republikës së Shqipërisë bie ndesh edhe me nenin 10 të Kushtetutës së Shqipërisë?

A e ka analizuar SPAK juridikisht që, shprehja në mënyrë taksative e kryeministrit Rama para opinionit publik në Shqipëri për të krijuar një shtet të pavarur etnik të një pakice kombëtare, nuk është një krim kundër paqes dhe stabilitetit ndëretnik në Shqipëri?

E ka studiuar SPAK faktin që kërkesa botërisht e kryeministrit Rama për krijimin e shtetit etnik të arumunëve në Shqipëri nuk ka mundësi të krijohet si privilegj etnik, sepse që në nenin 1 të Kushtetutës, në pikën 2 të tij, shkruhet si normë kushtetuese se:

Republika e Shqipërisë është shtet unitar e i pandashëm.

E kuptoni ju tani që kërkesa e Ramës është krim, sepse kërkon që Shqipëria të jetë një shtet i ndashëm sipas etnive?

Zotërinj!

Këto janë vetëm disa nga aspektet e një kërkese antishqiptare nga kryeministri aktual i Shqipërisë.

Të shohim, SPAK, a do ta analizojë këtë si përgatitjen apo tentativën e një krimi që kërkonte krijimin e një procedure arbitrare, që do të sillte gradualisht shpërbërjen territoriale të Republika së Shqipërisë?

spartak ngjela

Lini një Përgjigje