Forum20 Prill 2023, 13:45

Pse marrosen këta që duan të çajnë sheshin?

Shkruar nga Frrok Çupi
Pse marrosen këta që duan të çajnë sheshin?
Frrok Çupi

Po këta, që bëjnë si ‘të pjekur’ dhe si hamej të punëve të popullit? Këta pse dalin në çdo fushatë zgjedhore dhe rrahin gjoksin: “Më shikoni mua, jam unë ai i marrëzisë!”.

A kanë lindur të marrë, apo bëhen?. Nga vjen kjo punë? Shpesh po mendoj se zgjedhjet, domethënë pluralizmi e liria, janë fajtorët. Edhe pse këto janë magjia më e afërt dhe e dobishme që i ka ‘shkruar’ njeriu vetvetes. Se duhet pritur katër vjet, derisa të vijë ajo ditë, kur marrëzia del sheshit. Ose më mirë ta them: Marrëzi e të marrë ka në çdo kohë, por kur vijnë zgjedhjet këta rrahin gjoksin e thonë: ‘Eeej, shikomë, jam unë ai!’. Më kujtohet fëmija i një miku, ishte pak ‘bold’ dhe i këndshëm tek luante me moshatarët. Nga dritarja më vjen zëri gazmor i tyre. Dëgjoj dikë që dikujt i thërriste ‘o lopa…!’.

E hap dritaren dhe bëj zërin pak të ashpër: ‘Ç’ është kjo fjalë, kujt i thoni lopë?’.

Djaloshi, me fytyrë shumë të lumtur e të shndritshme, më thotë me fjalë të shpejta: ‘Jam unë, xhaxhi F…, jam unë lopa!’. Fëmijët po luanin dhe kishin vënë nofka.

Po këta, që bëjnë si ‘të pjekur’ dhe si hamej të punëve të popullit?… Këta pse dalin në çdo fushatë zgjedhore dhe rrahin gjoksin: “Më shikoni mua, jam unë ai i marrëzisë!”.

Është ky tipi i ‘demokracisë’ që kandidon për Foltoren në Tiranë; ky po thotë se ‘do ta çaj sheshin Skënderbe dhe do të bëj një udhë nën dhe’. I bie që qytetarët të quhen, jo më shëtitës, por ‘urithë të sheshit’.

Deri tani, sipas lajmeve, askush nuk është çmendur nga frika se mos vallë kjo do të ndodhë vërtet. Por ja ta zëmë se disa njerëz do ta besojnë?! Atëherë vërtet do të ketë trauma psikike. Se, ja ndodhi që ky tipi mori aq vota saqë merr fuqi të çajë sheshin?! Edhe kjo varet nga numri i të marrëve si votues, por edhe mund të ndodhë. Marrëzia nuk është sëmundje venale e mund të zhvillohet pa e kuptuar; eksperienca botërore e ka treguar. Se këta që fitojnë kështu, mund të vendosin të çahet bulevardi e të dalë ujë i zi, mund të vendosin që të çajnë digën e hidrocentralit, mund të lidhin me fije korrenti çdo derë sipërmarrjeje apo zyre për ata që vijnë vonë në punë… Ku ta di unë çfarë u thotë mendja.

Atëherë, si do të bëhet?

Pyetja më e parë që duhet bërë është se ‘pse ndodh kjo dhuratë demokratike?’. Asgjë, as edhe një magji serioze, nuk fillon pa një diagnozë.

Diagnoza ‘demokratike’ i bie të jetë kjo:

Pluralizmi dhe liria, aq sa janë të magjishëm për njerëz normalë, aq janë shkaku dhe vetë fatkeqësia. Tipat që shpikin marrëzira, që nga cilësia ndryshe e diellit, te Steve Jobes, të autobusi, te sokaku i të marrëve, të shembja e të gjitha kullave në qytet, te transferimi i  Disneyland nga Roma në Elbasan. Edhe një parti e vogël shpalli aksionin për të hequr çdo rruge emrin e një heroi… Në vitet e para të pluralizmit, një nga politikanët e ditës pat thënë: ‘kur të qeverisim ne, në koshat e plehrave do të ketë më shumë letra karamelesh!’.

Tani po pritet që sheshi Skënderbe të marrë emrin ‘sheshi i të Marrëve’.

A thua vallë, pluralizmi i nxjerr mendsh, apo vetë janë ashtu?

S’mund të thuash për pluralizmin në botë, por ky pluralizmi ynë po na sjell shumë marrëzi gazmore. Edhe kjo ka diagnozën e vet: Të gjithë pluralët tentojnë të ngjiten në pushtet; askush nuk e pranon pluralizmin me dy anë: maxhorancë dhe me opozitë. Domethënë marrëzia nuk pranon të qëndrojë në pakicë. Kjo e bën që të shfaqet me gjithë fuqinë e vet e të na e bëjë gropë sheshin Skënderbe.

Edhe një ‘diagnozë’ tjetër, ndoshta faji i maxhorancës:

Këtu te ne është rritur shumë maxhoranca dhe është bërë gjithëpërfshirëse. Domethënë., nuk po bën ushtrime ‘demokracie’, që t;u ofrojë edhe pakicave: ‘Hajde, merre içik pushtet edhe ti’. Kjo mund t’i mbulojë me jorganë disa marrëzi urbane dhe rurale.

Këtu ka të drejtë fushata zgjedhore kur thotë së maxhoranca na ka mbuluar.

Njerëzit kanë shpresë se normaliteti do të mbulojë edhe sheshin e të mos bëhen gërmime.

frrok Çupi 14 maji