Një sëmundje e pamëshirshme e ka detyruar të qëndrojë për më shumë se një muaj në koma dhe i intubuar, i izoluar nga zhurmat e jetës që aq shumë i ka dashur dhe i ka shërbyer.
Sajmir Visha është më shumë se një emër në listën e avokatëve shqiptarë. Ai është një simbol që frymëzon, një zë i fortë e i papërkulur që e ngriti figurën e avokatit mbi frikën, mbi servilizmin dhe mbi kompromiset. Për vite me radhë ka qenë në krah të të pambrojturve, ka folur pa drojë kur të tjerët heshtnin dhe ka përfaqësuar me dinjitet një brez të tërë avokatësh që besojnë ende te drejtësia dhe nderi profesional.
Sot, Sajmir Visha po kalon një nga sfidat më të rënda të jetës së tij. Një sëmundje e pamëshirshme e ka detyruar të qëndrojë për më shumë se një muaj në koma dhe i intubuar, i izoluar nga zhurmat e jetës që aq shumë i ka dashur dhe i ka shërbyer. Por nuk është hera e parë që Sajmiri përballet me të pamundurën dhe nuk është hera e parë që ai lufton me gjithë shpirtin për të mos u dorëzuar.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të vështirë, gjendja e tij ka nisur të përmirësohet. Dhe ne, të gjithë ata që e njohim, e duam dhe e respektojmë, e dimë se kjo është thjesht një fazë kalimtare sepse Sajmir Visha ka lindur për të qëndruar në këmbë, për të folur me zë të plotë, për të luftuar, për të mbrojtur dhe për të qenë një udhërrëfyes në këtë profesion fisnik.
Avokatia shqiptare është më e varfër pa ty, Sajmir. Shtypi është më i heshtur pa zërin tënd. Shoqëria është më e pambrojtur pa guximin tënd. Por kjo nuk do të zgjasë, sepse ti je mishërimi i forcës, i shpirtit që nuk thyhet, i njeriut që e fiton edhe betejën më të vështirë.
Ne të presim! Të presim jo thjesht si koleg, por si vlerë. Si zë. Si njeri që nuk u mposht kurrë as nga padrejtësia, e që sot nuk do të mposhtet as nga sëmundja.
Të presim në sallat e gjyqit, në zyrat e ligjit, në zemrat e njerëzve që besojnë tek drejtësia me fytyrë njerëzore. Sepse pa ty, avokatia nuk është e njëjtë.
Forca Sajmir Visha! Ky vend, ky popull dhe ky profesion kanë nevojë për ty më shumë se kurrë.
Lini një Përgjigje