TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Mars 2023, 21:37

Si po e shkërmoq berishizmi nga brenda PD-në

Shkruar nga Nebil Çika

Si po e shkërmoq berishizmi nga brenda PD-në

PD nuk e ndihmon dot Berishën me këto për hallin që ai ka realisht. Me këto vetëm zgjasin agoninë e PD-së dhe vonojnë formatimin e të djathtës reale në Shqipëri...

Delfinët e Berishës në Kryesi të PD dhe grup parlamentar arritën të sabotojnë momentin historik të mbijetesës së PD dhe transformimit të saj si alternativa e djathtë politike shqiptare, jashtë skemës së pluralizmit politik të Ramiz Alisë. Mos kandidimi në shumicën e bashkive të vendit është pa asnjë dyshim një fitore e Berishës dhe Metaj.

Vendimi i Kryesisë kundër vullnetit të shumicës së bazës së PD është modeli berishist i drejtimit të PD dhe i të bërit politikë në Shqipëri.

Shumë drejtues dhe deputetë të PD janë përzgjedhur në ato vende sipas modelit berishist të përzgjedhjes së përfituesve politikë. Berisha ka krijuar kallëpin, formatin me të cilin maten dhe përzgjidhen ata dhe me përjashtime të vogla, shumica janë mendojnë e veprojnë sipas atij kallëpi, për të mos folur pastaj për versionin e të infiltruar që flasin kundër Berishës, por ndërmarrin akte e miratojnë vendime pro tij.

Goditja që i dha bazës dhe elektoratit Kryesia e PD është e madhe dhe e pa precedentë.

Ata iu hoqën mundësinë mijëra demokratëve e shqiptarëve që janë kundër Ramës, Berishës dhe Metës, politikës së vjetër që po mban peng vendin, të shprehin me votë vullnetin e tyre në shumicën e vendit. Tani ata do të jenë të detyruar të zgjedhin serish njërën prej dy të këqijave ose të mos zgjedhin fare.

Argumentet e tyre janë qesharake dhe fyejnë inteligjencën e qytetarëve normalë të vendit.

Thonë që kandidatët e foltores janë edhe të tyre, ndërkohë që askush prej tyre nuk pranoi të regjistrohej në siglën e PDm duke zgjedhur atë të Ilir Metës. Nga ana tjetër Berisha i konsideron kandidatët e PD si të Edi Ramës, shpif e fyen drejtuesit e saj.

Pastaj nëse këta kandidatët e Berishës në zonat që PD i la të lira janë të PD, pse nuk janë edhe këshilltarët e Berishës të tillë ?! Pse regjistron këshilltarë PD-ja në këto bashki?

Ky vendin i Kryesisë së PD ka rrëzuar brenda ditës frymën e krijuar të pasqyruar në sondazhet e fundit.

Z. Alibeaj, një mbështetës i daljes me kandidatë në 61 bashki, një nga paktët që ka guxuar të dalë, jashtë kallëpit të Berishës që në 2013, tha para ca ditësh se është tradhti të çosh votat demokratëve te Ilir Meta.

Tani vetë Kryesia e PD me vendimin për të mbështetur kandidatët e foltores në shumicën e bashkive të vendit, po i çon vetë votat e demokratëve tek Meta, se kandidatët Berisha i ka bashkë me të.

A është tradhti edhe kjo?

Ti bien zorrët në grykë, kur thonë se me këtë skemë do shmangin akuzat e Berishës për humbjen e zgjedhjeve. Berisha prapë këta do akuzojë, siç ka bërë edhe pa pasur zgjedhje. Ata janë armiku i paracaktuar i tij dhe me këto vendime i kanë dhënë të drejtën të mos iu lërë kusur.

Po me partnerët ndërkombëtarë SHBA, çfarë bëhet?!

Nuk e besoj se ata mund ta hanë sapunin për djathë. Me këtë vendim shoh edhe një sfidë ndaj tyre, në kushtet kur kanë thënë se kush mbështet e bashkëpunon me Berishën nuk është me ta. Si do jenë marrëdhëniet me ta pas kësaj?!

Mendoj që situata e PD, në vend që të forcohej pas regjistrimit në KQZ është dobësuar ndjeshëm nga një goditje që i erdhi nga brenda ose me mirë të themi nga njerëzit e Berishës brenda saj.

PD u mund, pa hyrë fare në garë, nga berishizmi dhe berishistët brenda sajë.

Dy fjalë për deputetët!

Ata nuk janë në opozitë, në opozitë janë demokratët, mbështetës e votues të tyre.

Ata janë në pushtet, kanë të njëjtat kushte e privilegje sa kolegët e tyre të mazhorancës, por atyre 10 -15 prej tyre që janë në qeveri.

Një pjesë e mirë e tyre kanë hallin e mandatin tjetër të listës që më shumë e shpresojnë nga Berisha se sa nga PD dhe vetja e tyre.

Se kështu janë garuar e për këtë janë përzgjedhur, t’i kenë sytë e të shpresojnë tek dëshira e mëshira e liderit suprem.

Nuk prodhojnë dot politikë, madje as nuk mendojnë dot politikisht.

Se janë prodhim i kallëpit të Berishës me të cilin punonte edhe Basha.

Si përfundim dua të theksoj se PD nuk e ndihmon dot Berishën me këto për hallin që ai ka realisht . Me këto vetëm zgjasin agoninë e PD-së dhe vonojnë formatimin e të djathtës reale në Shqipëri.

Sigurisht i vënë edhe kryqin vetes përballë elektoratit dhe aleatëve ndërkombëtarë.

pd alibeaj nebil cika

Lini një Përgjigje