TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Korrik 2026, 09:43

FIFA cakton “gjeneralin” slloven për finalen e Kupës së Botës/ Slavko Vincic, arbitri që do të vërë drejtësi në sfidën Spanjë-Argjentinë

Shkruar nga Pamfleti
FIFA cakton “gjeneralin” slloven për finalen e Kupës
Slavko Vinčić

FIFA ka përzgjedhur arbitrin slloven Slavko Vinčić për të drejtuar finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin MetLife në New Jersey. Emërimi i tij shënon një moment historik për futbollin slloven, pasi Vinčić bëhet arbitri i parë nga Sllovenia që gjykon finalen e një Kampionati Botëror.

Në një video të publikuar nga FIFA, 46-vjeçari shfaqet dukshëm i emocionuar në momentin kur merr lajmin se do të jetë arbitri kryesor i ndeshjes më të rëndësishme të futbollit botëror.

Kjo është pjesëmarrja e dytë e Vinčić në një Kupë Bote për meshkuj. Pas dy ndeshjeve që gjykoi në Katar 2022, ai ka qenë një nga arbitrat më të angazhuar edhe në edicionin 2026, ku ka drejtuar disa takime, përfshirë sfidën me eliminim direkt mes Meksikës dhe Ekuadorit.

Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të jetë ndeshja e parë për një trofe të madh në karrierën e tij. Në vitin 2024, UEFA i besoi drejtimin e finales së Ligës së Kampionëve në stadiumin "Wembley", ku Real Madridi mposhti Borussia Dortmundin me rezultatin 2-0. Më herët, ai kishte gjykuar edhe finalen e Ligës së Europës në vitin 2022.

Në finalen e Botërorit, Vinčić do të asistohet nga bashkëkombësit Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič, ndërsa arbitër i katërt është caktuar jordanezi Adham Makhadmeh.

finale botërori

Lini një Përgjigje