TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Maj 2025, 12:30

Si ta ruajmë votën opozitare? Një propozim modest

Shkruar nga Blendi Kajsiu

Si ta ruajmë votën opozitare? Një propozim modest

Në fakt e vetmja qartësi që kemi mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare është se Berishës do ia vjedhin votën përsëri.

Gjenocidi elektoral i regjimit Rama në zgjedhjet e 11 majit 2025 tashmë ka nxjerrë në hije edhe gjenocidin e Gazës. Ajo që u zhvillua më 11 maj nuk ishin zgjedhje por farsa më e shëmtuar elektorale jo vetëm në historinë shqiptare por edhe atë globale.

Sipas dokumentimit rigoroz të doktor Sali Berishës krimi i organizuar i siguroi regjimit Rama 30 mandate në Kuvend. Po ti shtojmë këtyre edhe 20 mandate që u siguruan nga përdorimi i administratës publike i bie që regjimi kaloi 50 mandate parlamentare nga koalicioni i PD-së tek PS-ja.

Ky jo vetëm është, por edhe duhet të ishte, realiteti i “fitores” së regjimit. Kush e injoron atë dhe pretendon se Berisha humbi sepse nuk gëzon popullaritet në elektorat, apo se ndikimi i krimit të organizuar edhe pse prezent e ka fryrë por jo përcaktuar fitoren e Ramës është një palaço-analist.

Për të mbuluar manipulimin dhe shitblerjen masive të votës idiotët e dobishëm të regjimit po vjellin në publik pseudo-argumente të tipit “Berisha refuzohej më shumë se Rama në të gjitha sondazhet para zgjedhore”, apo se “PD-ja dilte shumë poshtë PS-së në të gjitha sondazhet”.

Po si mund t'i besohet sondazheve kur jetojmë në regjimin më kriminal të globit? Nëse krimi i organizuar është i aftë ti rrëmbejë 30 mandate dhe mbi 300 mijë vota PD-së imagjinoni sa të lehtë e ka të shantazhojë 1000 apo 2000 të intervistuar në një sondazh, ku natyrisht janë përgjigjur me pistoletë në kokë.

Ky është mjerimi mendor i shërbëtorëve të regjimit që refuzojnë të shohin të vërtetën që ndriçon si drita e diellit; rezultatin zgjedhor nuk e përcaktoi populli shqiptar por krimi i organizuar në bashkëpunim me SPAK-un. Krejt tjetër do kish qenë rezultati i zgjedhjeve nëse SPAK do kish arrestuar Troplinët dhe Visin e Pojës para datës 11 maj dhe jo pas saj

Është i njëjti SPAK që e arrestoi Erjon Veliajn jo menjëherë para zgjedhjeve të 11 majit por shumë javë përpara për të ndihmuar Edi Ramën me fushatën e Tiranës, duke i dhënë kohë ta organizojë atë pa Erjonin. Ishte kjo strategji politike e SPAK që prodhoi fitoren e thellë të Ramës dhe PS-së në Tiranë.

Për të justifikuar gjenocidin elektoral të regjimit Rama mjaft palaço-analistë dhe idiotë të dobishëm argumentojnë se Berisha deklaron se zgjedhjet ishin farsë për të mos pranuar humbjen, sepse përndryshe do detyrohej të jepte dorëheqjen si kryetar i PD-së. Sipas propagandës ramiste Berisha i trembet Nenit Basha në statutin e PD-së.

Ky është një argument idiot sepse Berisha nuk ka nevojë për asnjë justifikim politik për të ndenjur përjetësisht në krye të PD-së. Aty e ka vendosur Zoti ndaj askush tjetër nuk mund ta heqë. Ai fare lehtë mund të deklarojë nesër se zgjedhjet i humbi ai vetë dhe përsëri të rizgjidhet kryetar i PD-së.

Si do ta rrëzoka Berishën neni Basha sot që është kryetar ndërkohë që nuk e rrëzoi dot Kryetari Basha me SHBA-të nga pas kur doktori ishte anëtar i thjeshtë? Kaq mjafton për të kuptuar mjerimin e logjikës së regjimit dhe të zëdhënësve të tij.

Doktori nuk ka asnjë interes personal në denoncimin e vjedhjes së votës. Lufta e tij është për një demokraci shqiptare ku vota as nuk shitet dhe as nuk blihet, siç ka ndodhur historikisht brenda PD-së nën udhëheqjen e Berishës. Aty vota kurrë nuk është shitur apo blerë, sepse nuk ka pasur asnjë vlerë.

Nëse eliminojmë shit-blerjen e votës regjimi Rama bie menjëherë sepse popullit i jepet mundësia të votoj lirshëm për Berishn. Ndaj sfida kryesore e demokracisë shqiptare sot është ruajtja e votës së opozitës berishiste nga vjedhja, shitja apo blerja.

Deri tani janë hedhur të paktën dy propozime interesante për tu përballur me këtë sfidë. Njëri prej tyre është kalimi i PD-së në parti anti-sistem që nuk merr pjesë në votime sepse jemi nën regjim dhe jo në demokraci.

Ndonëse kemi të bëjmë me një një propozim inteligjent dhe invovativ duhet pranuar se shanset që një qasje e tillë të ruaj votën opozitare janë të pakta. Mos-pjesmarrja e PD-së në zgjedhje nuk e pengon regjimin Rama për të blerë vota në masë dhe për të “fituar” zgjedhjet pa kundërshtar.

Përkundrazi, shërbëtorët e regjimit dhe idiotët e dobishëm do çirren në kor se PS-ja fitoi sepse PD-ja nuk u paraqit në zgjedhje, edhe pse në të vërtetë PS-ja edhe në këtë rast do fitonte sepse bleu votat masivisht. Kjo është narkoza e demokracisë shqiptare që për rezultatin e zgjedhjeve ia vesh fajin gjithnjë opozitës madje edhe kur ajo nuk merr fare pjesë në zgjedhje.

Një ide e dytë akoma më largpamëse është që PD-ja të sillet si parti e vogël dhe jo e madhe. Kjo është një ide tepër e logjikshme sepse një parti e vogël merr më pak vota se një parti e madhe. Më pak vota ruhen më kollaj se më shumë vota.

E megjithatë edhe kjo zgjidhje ndonëse plotësisht e logjikshme në teori nuk funksionoi në praktikë. Në zgjedhjet e 11 majit Berisha arriti ta zvogëlojë me shumë sukses votën e PD-së, me rreth 250 mijë vota. E megjithatë vjedhja dhe shitblerja u rrit në raport me vitin 2021. Gjasat janë që ky fenomen do vazhdojë edhe në zgjedhjet e vitit 2029.

Në fakt e vetmja qartësi që kemi mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare është se Berishës do ia vjedhin votën përsëri. Ndonëse Berisha di ta ruajë demokracinë shqiptare e vërteta e dhimbshme është se ai nuk di ta ruajë votën opozitare. Vjedhja, shitja dhe blerja masive e votës berishiste në farsën elektorale të 11 majit ishte dëshmia e radhës se PD-ja e Berishës nuk di ta ruajë votën e saj.

Pikërisht për këtë arsye është koha që Berisha dhe berishizmi t'i bëjnë thirrje shqiptarëve që votën mos ta depozitojnë te PD-ja por tek partitë e reja opozitare. Ato treguan qartë se dinë ta ruajnë votën, madje edhe pa komisioner, pa vëzhgues të mjaftueshëm dhe pa milionat që hodhi PD-ja në fushatë.

Natyrisht votuesi i PD-së mund të jetë skeptik. Vota për partitë e reja opozitare mund t'i duket si një votë e çuar dëm pasi probabiliteti që ato të rrëzojnë Ramën në vitin 2029 është ende i ulët.

E megjithatë ai është shumë më i lartë se në rastin e PD-së berishiste. Shanset e saj për të rrëzuar Ramën dhe për të ardhur në pushtet në vitin 2029 janë zero, sepse që tani e dimë që Berishës do i vjedhin votën.

Lini një Përgjigje