Forum20 Maj 2024, 17:42

Sllovakia në pragun e luftës civile, atentati ndaj Fico po e përçan më tej kombin

Shkruar nga Peter Conradi
Sllovakia në pragun e luftës civile, atentati ndaj Fico po e
Momenti i atentatit ndaj Robert Ficos /

Një muaj më parë, Fico deklaroi para kamerave se tensionet politike në vend ishin kaq të larta “sa që mund të vritet një politikan kryesor i qeverisë”. Dhe thuhet se në internet qarkullon një listë me figurat e opozitës, të akuzuar për nxitje të dhunës ndaj tij me titull “Gjak në duart e tyre”...

Bratislavë - Kur një burrë i moshuar qëlloi 5 herë më armë zjarri në drejtim të Robert Fico, teksa ky i fundit po takohej me mbështetësit e tij në një qytet të vogël provincial të mërkurën e javës së kaluar, aleatët e kryeministrit sllovak e dinin menjëherë se cilët të fajësonin.

Ndërsa Fico, 59 vjeç, u dërgua me urgjence më helikopter në një spital aty pranë, dhe pamjet e sulmit bënë xhiron e botës, nënkryetari i parlamentit, Lubos Blaha, ua dha lajmin deputetëve. Duke iu kthyer nga opozita, ai tha me një ton të ashpër:”Kjo është vepra juaj!”.

Disa orë më vonë, Blaha, i njohur për postimet e tij radikale në rrjetet sociale, akuzoi “mediat liberale dhe opozitën politike ”se po ngre stërkëmbësha” për kryeministrin. “Për shkak të urrejtjes suaj, ai sot po lufton për jetën e tij”- u shpreh ai.

Ndërkohë Andrej Danko, nënkryetari tjetër i parlamentit, i etiketoi si “derra të neveritshëm” disa gazetarë të opozitës. Por shpejt u bë e qartë se autori i dyshuar, Juraj Cintula , i cili u arrestua me shpejtësi nga policia, nuk ishte pjesë e një komploti më të gjerë të opozitës.

Cintula, 71 vjeç, që doli para gjykatës të shtunën i akuzuar për tentativë vrasjeje, është përshkruar nga autoritetet si një “ujk i vetmuar”. E shkuara e tij është interesante:shkrimtar në profesion, ai ka punuar në punë të ndryshme si minator në një minierë qymyrguri, murator por edhe roje sigurie në një supermarket.

Ndërsa në vitin 2016, u përpoq të bashkë-themelonte një parti politike, Lëvizja Kundër Dhunës.  Mëngjesin pas sulmit, Zuzana Caputova, presidentja liberale në largim, dhe Peter Pellegrini, një aleat i Fico-s që do të betohet si pasardhësi i saj muajin e ardhshëm, bënë një deklaratë të përbashkët duke apeluar për qetësi.

Megjithatë, ky apel nuk ka arritur të zbehë pasionet në këtë komb shumë të përçarë prej 5.4 milionë banorësh, i cili kur ndodhi atentati i bujshëm, ishte në mes të fushatës për zgjedhjet e 8 qershorit për Parlamentin Evropian. Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, e ka përshkruar atdheun e tij si “në pragun e një lufte civile”

Ndërkohë, raportohet se Fico është jashtë rrezikut për jetën, por ende në një gjendje të rënduar në repartin e terapisë intensive në një spital në qytetin Banska Bystrica, pasi iu nënshtrua 2 operacioneve të gjata. I goditur nga 4 nga 5 plumbat, ai i shpëtoi vdekjes për një “fije floku” tha Pellegrini.

“Vendi është nën shok, pasi një dhunë politike e këtij lloji nuk është parë kurrë në Sllovaki. Tensioni brenda shoqërisë sllovake është i dukshëm”- thotë Pavol Demes, analist politik, që në fillim të viteve 1990 ka qenë Ministër i Jashtëm. Sllovakia, më tha ai, ishte tashmë më e përçarë se kurrë, qëkur iu bashkua NATO-s dhe Bashkimit Evropian 20 vjet më parë. Familjet janë përçarë për shkak të politikës, mbi çështjet sociale delikate si martesat e homoseksualëve, të drejtat e komunitetit LGBT, si dhe për mbështetjen ndaj Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Sulmi ndaj kryeministrit, duket se do t’i përkeqësojë gjërat. Ekziston frika për më shumë akte dhune, ndonëse këtë herë drejtuar opozitës, e cila muajt e fundit e ka akuzuar Fico-n, se që nga ri-ngjitja në pushtet vjeshtën e vitit të kaluar, e ka futur vendin në të njëjtën rrugë “jo liberale”, duke kopjuar mikun dhe aleatin e tij, Viktor Orban, udhëheqësin e Hungarisë fqinje.

Një muaj më parë, Fico deklaroi para kamerave se tensionet politike në vend ishin kaq të larta “sa që mund të vritet një politikan kryesor i qeverisë”. Dhe thuhet se në internet qarkullon një listë me figurat e opozitës, të akuzuar për nxitje të dhunës ndaj tij me titull “Gjak në duart e tyre”.

Në mesin e tyre është Kristina Tormova, aktore dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila luajti një rol të spikatur në protestat e fundit antiqeveritare. Pas kërcënimeve të fundit, asaj i është ofruar mbrojtje nga policia. “Këto ditë ka pasur një gjuhë të fortë urrejtjeje në mediat sociale, duke thënë se unë i inkurajova njerëzit të vrisnin Fico-n. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë. Unë e nisja çdo protestë me fjalët:Silluni mirë dhe me qytetari, pasi për këtë po luftojmë!”.

Protestat, të cilat tërhoqën mijëra njerëz, ishin kundër një projektligji që po debatohej në parlament ditën e sulmit për të mbyllur RTVS, radiotelevizionin kombëtar, i cili gëzon autonomi të konsiderueshme, dhe për ta zëvendësuar atë me një organ të ri nën një kontroll më të rreptë të shtetit.

Kjo lëvizje u pa si një shenjë e mëtejshme e “orbanizimit” të Sllovakisë, pas mbylljes në mars të zyrës së Prokurorit Special, hetimet e së cilit çuan në dënime të shumta në disa raste të korrupsioni të profilit të lartë, shumë prej tyre të lidhura me partinë e Ficos, SMER (Drejtimi - Social Demokracia).

Të dyja këto masa kanë shkaktuar kritika të forta nga Brukseli. Atmosfera politike në vend është bërë gjithnjë e më toksike që nga viti 2018, kur Fico që në atë kohe ishte kryeministër prej 10 vjetësh, u detyrua të jepte dorëheqjen pas protestave masive për vrasjen e gazetarit investigativ, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova.

Kuciak po hetonte lidhje mes politikanëve të lartë dhe N’Drangheta-s, një degë e mafies italiane, e cila dyshohej si bashkëpunëtore me drejtues të SMER. Në prill 2022, Fico u arrestua dhe u akuzua për lidhje me krimin e organizuar, por akuzat ndaj tij ranë. Kur ishte në opozitë, ai dhe aleatët e tij u përplasën me kundërshtarët e tyre në mediat sociale.

“Ata përdornin një gjuhë shumë agresive”- kujton Monika Todova, një gazetare e njohur në vend. “Kryeministri i ka quajtur gazetarët ‘derra’ ndërsa presidenten Caputova një mi. Një taktikë e tillë, duket se e ndihmoi Fico-n të rikthehej në pushtet pas zgjedhjeve të shtatorit 2023, duke u bërë kryeministër për herë të katërt në krye të një koalicioni me Hlas (Zëri), një parti nacionaliste socialdemokrate e kryesuar nga Pellegrini, dhe partinë më të vogël ultra-nacionaliste, Partinë Kombëtare Sllovake.

Suksesi i Fico-s, i detyrohet pjesërisht thirrjes së tij për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Për arsye historike dhe kulturore, sllovakët kanë qenë prej kohësh kombi më pro-rus në Evropën Qendrore. Kjo i ka bërë ata më të prekshëm ndaj fushatave propagandistike të Kremlinit, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në zgjedhje.

Cintula duket se ka qenë shumë i shqetësuar për drejtimin në të cilin po e çonte vendin Fico. Në një video të dalë nga komisariati ku ai u dërgua pas sulmit, ai dëgjohet duke akuzuar qeverinë për planifikimin e “likuidimit të medias” dhe duke kritikuar reformat e saj.

Megjithatë, investigimi nga mediat sllovake, ka zbuluar një figurë më komplekse, një rebel që ishte përplasur me autoritetet që nga epoka komuniste, dhe që më parë ka pasur lidhje me Slovenski Branski (Rekrutët Sllovakë), një grupim paraushtarak pro-rus i krahut të djathtë.

Në një libër të vitit 2015, ai sulmoi ciganët “që hanë qyl”, lavdëroi një parti neo-naziste, mbrojti Lubomir Harman që  vrau 8 persona njerëz në vitin 2010 në Bratislavë, dhe ankohej pse nuk kishte asnjë version sllovak të Anders Breivik, i cili vrau 77 në Norvegji në vitin 2011.

Se çfarë do të ndodhë më tej nuk është e qartë. Dhe as sa kohë do t’i duhet Fico-s ta marrë veten. Pasi iu ishte nënshtruar një bypass-i në zemër në vitin 2016, ai sfidoi mjekët e tij dhe u kthye në punë brenda disa ditësh. Këtë herë, rikthimi do të zgjasë shumë më tepër.

Ndërkohë, kampi i qeverisë u duk i ndarë midis atyre që duan të përpiqen të qetësojnë situatën, dhe atyre që synojnë ta përdorin sulmin ndaj Fico-s si një justifikim për të shtypur kundërshtarët, thotë Peter Weiss, ish-ambasador sllovak në Pragë. “Ka ardhur koha për vetë-reflektim nga të gjitha partitë politike. Një sulm ndaj demokracisë, në formën e një përpjekjeje për të vrarë kryeministrin, s’duhet të bëhet pretekst për të shtypur apo kufizuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës”- thekson ai./Përshtati Pamfleti nga “Sunday Times”

sllovakia fico luftë civile