TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Mars 2023, 11:15

Taulant Balla shpjegon taktikat e FBI-së!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Taulant Balla shpjegon taktikat e FBI-së!
Taulant Balla

Taulant Balla na siguron se ai dhe Amerika nuk shohin gjobëvënës këtej ku rrinë piratët e kriminelët më të mëdhenj të Globit...

Nuk gjen njësi matëse për antiamerikanizmin, gjobë vënien dhe abuzimin me pushtetin mes Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Gjithë shqiptarët do i vlerësonin maksimalisht.

Se po, fshati ca gjëra i di e ca nuk i di.

Për shembull, ende nuk dihet cila femër e futi djallin në shishe, por dihet cili mashkull e futi në “thes” super spiunin e FBI-së.

Edhe më tej se kaq.

Dihet edhe ai që i shpjegon taktikat e FBI-së, që “garanton” se nuk do preket ai që ka joshur me para e korrupsion agjentët e shtetit më të fuqishëm në Botë.

Ndryshe nga djalli që shpëtoi e jeton i lirë, McGonigal e hëngri. Ai është i izoluar, jo se vendosi gjoba këtej, por se e bleu Edi Rama duke i dhënë para në dorë, biznese dhe çfarë deshi. 

Ashtu, me “grykën” e “thesit” mbyllur, u izolua në Komisionin hetimor të Kongresit Amerikan.

Po si do shkojnë punët, se republikanët janë të vendosur të mos e mbyllin “thesin” ku Edi Rama ka blerë ca gjëra nga siguria kombëtare e SHBA-ve?

Kështu u diskutua dje në Kongres, apo jo?!

Meqë shpresa burgoset pas Edi Ramës, ky po shpreson se edhe McGonigal e ka aq nuhatje sa djalli, që të mos publikojë sekretet që do të dëmtonin sistemin e funksionimit të fateve njerëzore.

Sa kohë Edi Rama “vizaton” çmenduri nëpër regjistrat e krimit ekonomik, nga Tirana në Pekin, nga Beogradi në Moskë, nga Prishtina në Stamboll, Taulant Balla, po guxon që herë nga selia e PS-së e herë para robotëve të medias, të mbrojë antiamerikanin e njohur përmes ligjëratave mbi taktikat e FBI-së, deri në detaje.

Deduksionet e logjikës i mbështet, sa mbi përvojën e vet të gjatë, sa në esencën e informacionit që “thithë” në rrugë diplomatike, pasi është dyshi i partisë në pushtet.

Ja, e zëmë se ra qeveria, se nuk është e pamundur, sidomos në këtë stinë skandalesh dhe pakënaqësish.

Ç’do ndodhë nëse pranojmë gjendjen reale ku jemi?!

E para do rrëzohej ky pushtet. E nëse ndodh, do të ishte Taulant Balla  figura që do të duhej të kufizonte fuqitë shpërthyese, pastaj të thërriste të urtët për t’u prirë zhvillimeve dhe fateve të vendit, si kryeministri i shumicës.

Në thelb të gjësë, paskemi asgjë, thua ti?!

Sa kohë të fortët demonstrojnë publikisht vlera që minojnë demokracinë, sa kohë që Fatmir Mediu, i dënuar me burg në Itali me identitet tjetër, por shkon e vjen nga Amerika më shpesh se një korçar në Tiranë, duket se Taulant Balla nuk ka prokuror që e ngacmon. I dha provat ky, me avokatin Ravik Gurra, që sa preku dosjen për porositësit e dy vrasjeve në Elbasan, u vra edhe ai në mes të qytetit.

Në mes të “tepsisë” së Rilindjes, kërcen cepave të pasigurisë për veten, por siguron, se nga pa pastërtitë e dosjes McGonigal, vetëm ish shefi FBI-së bëhet pis. Madje, shkon deri atje sa, nuk ka turp e me cinizëm shpjegon se pse duken qesharakë ata që paguajnë përditë jo vetëm gjoba, por edhe grabiten e vidhen publikisht.

Ajo që vret më shumë se manovrat e hajdutëve e kriminelëve tanë, është heshtja e diplomacisë.

Të dalë tjetri nga dosjet e krimit, t’u japë shpresë hajdutëve që të mos ligështohen, pasi dobësia për dollarë e seks e spiunëve të Uashingtonit, është njollë e tyre, është injorancë që tjetri të nxjerr gjuhën.

Ky dyshi i PS-së, krekoset se abuzimet dhe pastrimi i parave të krimit përmes bizneseve kineze, ruse, turke, serbe dhe arabe, janë qenësisht të kundërta me çka shqiptarët shohin, prandaj edhe do ketë qëndrime krejt të kundërta me drejtësinë amerikane.

Taulant Balla na siguron se ai dhe Amerika nuk shohin gjobëvënës këtej ku rrinë piratët e kriminelët më të mëdhenj të Globit.

Në është kështu, pasi të vidhni edhe njëherë votat, sillni ca dekorata për këta që fshati i njeh hajdutë e kriminelë.

Por gjithsesi dyshi pas kryeministrit duhet dëgjuar.

Nuk na është cenuar fare, po fare ama, imazhi i qeverisë në Shtëpinë e Bardhë. E ka thënë Taulant Balla disa herë se vetë pastrimi andej dhe këtej, jo vetëm janë ndryshe, por edhe ka mjete e potenciale shumë të ndryshme që prodhojnë pasoja po të ndryshme.

Po ç’mendon fshati?

Askush këtej ende as është bërë “synet” nga koka, as ka dalë nga zyra pa mëkatuar, as ka tradhtuar mafien, duke mos ju bindur kodeve të saj.  Kush kapet, le ta hajë pak, por gojën duhet ta mbyllë me dry.

Në këtë situatë, hajdutët e kriminelët që mund t’u ikë timonieri, janë plot vëmendje sa herë Taulant Balla shpjegon taktikat e FBI-së./Pamfleti

taulant balla taktikat e fbi mcgonical

Lini një Përgjigje