TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Janar 2026, 16:41

Ukrainë: Dy objektivat që shtyjnë Trump-in dhe Putinin të mos i japin fund luftës

Shkruar nga Paolo Rossetti
Ukrainë: Dy objektivat që shtyjnë Trump-in dhe Putinin të
Ukraina /

Zelensky kërkon të takojë Putinin, ndërsa Trump flet për përparim në negociata. Por në Ukrainë luftimet vazhdojnë dhe Rusia synon të arrijë deri në Odesa. Një sulm amerikan ndaj Iranit do të vinte në rrezik raportin Trump-Putin, ndërsa SHBA-ja po luan një lojë të dyfishtë: vetë kërkon pakte të mëdha me Moskën, ndërsa Evropën do ta përdorë si një “qen-roje” për të frenuar ambiciet e mëtejshme të Moskës, por edhe të Pekinit...

Ditët e fundit po flitet shumë për negociatat e ardhshme. Madje, Zelensky ka shprehur dëshirën të takohet drejtpërdrejt me Putinin. Megjithatë, pengesat që deri më sot kanë penguar ndërprerjen e luftës në Ukrainë, mbeten të pranishme mbi tryezë. Nuk ka ende arsye të forta për të besuar se jemi pranë një zgjidhjeje të konfliktit.

Nga ana tjetër, siç shpjegon Alberto Bradanini, ish-ambasador italian në Iran dhe Kinë, rusët po fitojnë terren ushtarakisht. Ulja e tyre në bisedime mund të jetë thjesht një mënyrë për të fituar kohë, me synimin për të pushtuar edhe Odesën.

Ukrainë: Dy objektivat që shtyjnë Trump-in dhe Putinin të
Alberto Bradanini /

Problemet që duhen zgjidhur janë të shumta, siç u hije dy superfuqive si SHBA-ja dhe Rusia. Mbi këto bisedime mund të ndikojë edhe situata në Iran.

Disa analistë mendojnë se SHBA-ja po pret të nënshkruajë një marrëveshje për sigurinë dhe rindërtimin me Ukrainën, por vetëm pasi Kievi të pranojë t’ia lërë rusëve Donbasin. Sipas të tjerëve, fillimisht do të arrihej një pakt mes Kievit dhe Uashingtonit, e pastaj Trump do të gjejë gjuhën e përbashkët me Putinin për marrëveshjen përfundimtare. Pra, molla e sherrit mbetet Donbasi: a do të kapërcehet kjo pengesë?

Ukrainasit dhe amerikanët mund të hartojnë plane, por në fund duhet të përballen me Putinin. Zelensky thotë se nuk dëshiron të lëshojë Donbasin, por realiteti është se ai tashmë është humbur, sepse fati i luftës vendoset në fushëbetejë.

Ekzistojnë disa fusha ku kompromisi duket i mundshëm, por çështjet themelore - ato që përcaktuan kornizën e “operacionit special ushtarak” - mbeten të pandryshuara: neutraliteti i Ukrainës, dorëzimi i territoreve rusisht-folëse (Donbasi, Khersoni dhe Zaporizhzhia) dhe çmilitarizimi i vendit, në mënyrë që Ukraina të mos përbëjë më rrezik për Rusinë.

Por në fakt, mbi këto pika nuk është se ka ndonjë gjë të re?

Rusia ka përpara dy zgjedhje: kompromisin, që do të ishte më i favorshëm edhe për Ukrainën, ose vazhdimin e luftës, të cilën aktualisht po e fiton. Ajo nuk ka arsye të nxitojë ta mbyllë konfliktin: sa më shumë kohë kalon, aq më shumë terren pushton ushtria e saj.

Çfarë mund të ndodhë nëse lufta vazhdon?

Ka mundësi që herët a vonë rusët të pushtojnë pjesët e mbetura të rajoneve që tashmë kontrollojnë, por nuk përjashtohet që të synojnë edhe Odesën. Kokëfortësia që shfaqin rusët në disa pika kyçe mund të jetë pikërisht për këtë arsye: ta detyrojnë palën tjetër të thotë “jo”, që të vazhdojnë luftën edhe pak e të arrijnë në Odesa.

Trump flet për hapa të mëdhenj përpara në bisedime. Zelensky kërkon të takojë Putinin, rusët i kanë thënë të shkojë në Moskë, ndërsa në fundjavë pritet një takim tripalësh në Emiratet e Bashkuara Arabe. A do çojë diku gjithë ky aktivizim?

Deklaratat e Zelenskyt dhe Trump-it duhen marrë me rezerva. Gjithsesi, duhet konsideruar një aspekt tjetër: Rusia dhe SHBA-ja janë dy fuqi të mëdha, marrëdhënia e të cilave prek edhe tema të tjera, si rinovimi i traktatit “New Start”, i cili kufizon numrin e kokave bërthamore dhe që skadon së shpejti. Edhe kjo është pjesë e diskutimeve. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë që duhen marrë në konsideratë.

Cilët?

Trump e ka ftuar Putinin të marrë pjesë në “Bordin e Paqes” për Gazën, dhe rusët kanë sugjeruar se për këtë qëllim do të donin të përdornin 1 nga 4 miliardë dollarët e aseteve të ngrira në SHBA, para këto që mund të shërbenin më vonë për rindërtimin e ekonomisë ukrainase.

Nga ana tjetër, ekonomia amerikane ka nevojë për ri-industrializim dhe, duke qenë se Rusia është e pasur me burime natyrore, mund t’i hapet rruga marrëveshjeve të investimit në sektorin energjetik, në shfrytëzimin e tokave të rralla apo të lëndëve të para të domosdoshme për zhvillimin teknologjik. Së fundi, mbetet për t’u trajtuar edhe çështja e militarizimit të hapësirës.

SHBA-ja është e angazhuar edhe në fronte të tjera, si ai i Lindjes së Mesme. A do të kushtëzohet rezultati i negociatave për Ukrainën edhe nga sjellja e amerikanëve në teatro të tjerë?

Trump e ka shprehur hapur synimin për të ushtruar presion mbi Iranin. Rusia, më shumë sesa Kina, do të përpiqet të parandalojë rënien e regjimit, pasi sot Teherani është aleat i saj. Një agresion amerikan ndaj Iranit mund të ndërlikonte ndjeshëm mundësinë e paqes në Ukrainë.

Në lidhje me Donbasin, a ka një zgjidhje diplomatike alternative ndaj lëshimit të tij nga ana e ukrainasve?

Rusët nuk duan që aty të vendosen trupa të huaja, e aq më pak të NATO-s. Megjithatë, mund të gjendet edhe një rrugë tjetër: krijimi i një “zone tampon” prej 60 kilometrash pa instalime ushtarake, statusi juridik i së cilës do të duhet të negociohet me kujdes.

Në të gjithë këtë situatë, Evropa mbetet gjithnjë në periferi. Si do të dalë ajo nga kjo luftë?

Ka jo pak dyshime se SHBA-ja dëshiron në prapaskenë që Evropa të mbajë një qasje të ashpër ndaj Moskës. Rusia duhet të frenohet sepse është aleate e Kinës, gjë që nuk i shkon për shtat "perandorisë" amerikane. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të shesin armë, pasi janë thuajse eksportuesit e vetëm kryesorë.

Nëse do të donin t’ua impononin vullnetin e tyre evropianëve, amerikanët mund të kërcënonin me largim nga NATO ose të përdornin mjete më të rënda, si tarifa apo masa financiare, madje edhe ndonjë kërcënim të fshehtë që prek sistemin bankar ndërkombëtar. Por nuk e bëjnë, sepse ekziston një agjendë e pashkruar: Evropa duhet të mbajë nën kontroll Rusinë, duke blerë armë nga Uashingtoni./Përgatiti: Pamfleti

alberto bradanini ukraina trump putin

Lini një Përgjigje