Sjellja skandaloze e presidentit amerikan, po shkatërron fasadën e rendit liberal. Por ky moment krize mund të jetë shkëndija e domosdoshme për të ndërtuar një botë të re, të bazuar te bashkëpunimi dhe jo dominimi…
Është viti 2026 dhe të gjithë po jetojmë në “Mafialand”. Donald Trump po sillet si Don Korleone tek filmi “Kumbari”. Ai bën çfarë të dojë dhe pret besnikëri absolute. Në Davos, ai shpalli krijimin e një “Bordi të Ri të Paqes” për Gazën - një lloj OKB-je private të tij - nga e cila Britania dhe shumica e liderëve evropianë fatmirësisht kanë qëndruar larg.
Por edhe për sa kohë? Tony Blair, si gjithmonë moralisht fleksibël, është aty brenda, së bashku me shërbëtorë të tjerë të pasur e të fuqishëm, gati për të zbatuar urdhrat e Trumpit. Mes tyre janë udhëheqësi autokrat i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ende nën urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte.
Po ashtu, aty janë gjithashtu sundimtarët despotikë e jashtëzakonisht të pasur të Katarit dhe Arabisë Saudite. Udhëheqës të ashpër e agresivë, të etur për të fituar pëlqimin e Trumpit. Plani i fundit për Gazën ka të bëjë në thelb me kolonializmin ekonomik dhe fitimet.
Marrëveshja e paqes nuk u respektua asnjëherë. Izraeli e shkel rregullisht atë; palestinezët nuk janë as të lirë dhe as të sigurt në Gazë apo në Bregun Perëndimor. Rrëmbimi i paligjshëm që Trump i bëri Nicolás Maduro-s, ish-presidentit të Venezuelës - një komb sovran - po pranohet si i pashmangshëm apo edhe i domosdoshëm.
Ai do të vazhdojë të sillet në mënyrë të shfrenuar. Analisti politik britanik Philippe Legrain ka demaskuar politikat dashakeqe të Trump-it në Evropë. “Ashtu si një bos mafie, ai e sheh NATO-n si një rrjet gjobëvënieje për mbrojtje dhe evropianët si vasalë që duhen zhvatur”- ka shkruar Legrain.
“Kurdo që do të dëshirojë, mund të rinisë kërcënimet e tij për Grenlandën... Prandaj, Evropa duhet të reduktojë varësinë e saj nga Trump sa më shpejt të jetë e mundur”, thekson ai. Kjo duket e vështirë, duke parë dorëzimin dhe lëvdatat e BE-së ndaj “Capo dei capi”, bosit të bosëve në zhargonin mafioz.
Korleone shkatërronte miqtë dhe aleatët e ngushtë po aq sa edhe armiqtë. Trump e bën këtë rregullisht. Rendi ndërkombëtar relativisht i qëndrueshëm i pasluftës është duke dhënë shpirt.
Në Forumin e Davosit, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, foli si duhet për këtë moment historik. Edhe ish-kryeministri Gordon Brown ka paralajmëruar mbi rreziqet e mëdha të anarkisë globale të nxitur nga Trump.
“Tani pyetja e vërtetë është nëse vitet 2020 do të përcaktohen nga kolapsi i plotë i shtyllave tashmë të rrënuara të rendit liberal, të bazuar në rregulla dhe mizoritë që shoqërojnë atë shkatërrim, apo nëse një koalicion ndërkombëtar i vullnetshëm mund të bashkohet për të ndërtuar një kornizë të re globale në vend të tij”- nënvizon ai.
Në epokën tonë të pafuqisë politike, këta dy burra spikasin. Ata flasin me pasion dhe bindje. Ne kemi nevojë të dëgjojmë më shumë zëra të tillë. Megjithatë, asgjë nga kjo nuk do të thotë shumë, nëse në këtë moment llogaridhënieje, kombet perëndimore – përfshirë Izraelin, plus anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusinë dhe Kinën - nuk thirren të mbajnë përgjegjësi për injorimin e ligjeve dhe minimin e institucioneve që lëvdon Brown.
Ata i kanë shpërfillur rezolutat dhe traktatet e OKB-së dhe kanë vënë në pyetje legjitimitetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Rendi i ri botëror duhet të jetë më i drejtë dhe më i barabartë sesa rendi i vjetër që po vdes.
Dhe kjo fillon me guximin dhe qartësinë morale për të refuzuar pranimin kapitullues se realpolitika kërkon që qeveritë tona të mbyllin sytë para disa gjërave. Carney e ka pranuar se mënyra e vjetër e të bërit të gjërave - duke injoruar me mirësjellje shkeljet e ligjeve dhe kodeve vetëm sepse ato u shkelën nga kombet më të fuqishme - duhet të marrë fund.
“Ne e dinim se historia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte pjesërisht e rreme; se më të fortët do të përjashtonin veten kur t’u interesonte, dhe se rregullat e tregtisë zbatoheshin në mënyrë asimetrike. Po ashtu, e dinim se ligji ndërkombëtar zbatohej me rreptësi të ndryshme, në varësi të identitetit të të akuzuarit apo viktimës”- theksoi ai në fjalimin tashmë të famshëm.
Amerika mbante çelësat dhe Perëndimi e pranonte iluzionin se mënyra si funksiononte bota ishte e drejtë, vetëm sepse ishte komode dhe e qëndrueshme.
“Ky pazar nuk funksionon më. Sot jemi në mesin e një shkëputjeje dhe jo të një tranzicioni”- shtoi kryeministri kanadez.
Pra, çfarë vjen pas tronditjes dhe shkëputjes? A do të rregullohen më mirë grabitqarët e biznesit global? A do të tërhiqen “vëllezërit” e teknologjisë hegjemoniste nga dominimi botëror? Nuk besoj.
Por, ndoshta, kur “Korleone” dhe banda e tij të largohen nga pushteti, frika do të fashitet dhe do të jetë e mundur të rimendohet një botë më e rregullt dhe më e drejtë.
Kjo nënkupton fundin e “Shekullit Amerikan” - diçka që duhej të kishte ndodhur kohë më parë. Dhe kjo u ngarkon një detyrë kombeve ekonomikisht të fuqishme - përfshirë Japoninë, Kinën dhe Indinë - që ta zëvendësojnë me bashkëpunimin idenë e dominimit kombëtar.
BE-ja është shembulli më i spikatur. Gjermania, Franca, Italia dhe kombet e tjera themeluese kanë ndikim, por është kolektivi i 27 kombeve - të mëdha, të mesme dhe të vogla - ai që e ka bërë unionin ekonominë e dytë më të madhe në botë.
BE-ja duhet të mbrojë me më shumë guxim demokracinë liberale, ndërkohë që e djathta ekstreme po fiton kudo zgjedhjet kombëtare. Por ajo mund të jetë modeli me të cilin do të krijohet një e ardhme më e ndritur për të gjithë.
Se si do të dukej kjo ripërtëritje dhe kush do ta udhëhiqte, kjo është një pyetje tjetër. Por nëse njerëz të mirë mundën ta bënin këtë pas luftërave botërore katastrofike, sigurisht që mundet dhe do ta bëjë edhe gjenerata e “pas-mafias”./Përgatiti Pamfleti nga “The i Paper”
Gjithë media Amerikane e cileson lango gesnjshtar patalogjik narcistik dhe bully dhe ju na thoni që është gangster. Ha ha ha! Gangsteri vertete nuk leh ndryshe ne mengjes e ndryshe ne mbremje por ta numuron ne lule të ballit.