Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Vlorë një dite më parë, ku një 17-vjeçare tentoi vetëvrasjen me armë zjarri, duke mbetur e plagosur rëndë me plagë në kokë.
Policia ka arrestuar babain e vajzës, 43-vjeçarin S.S., i cili akuzohet se ka dhunuar të bijën. Mësohet se e mitura tentoi vetëvrasjen pas dhunës së ushtruar nga i ati.
Në hetim është vënë edhe gjyshi i vajzës, për armëmbajtje pa leje, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Kjo pasi tentativa e vetëvrasjes ndodhi në shtëpinë e gjyshërve, me armën që gjyshi mbante pa leje.
Arma e krimit, tip pistoletë, është fshehur nga familjarët dhe nuk është gjetur ende nga policia.
Kujtojmë se 17-vjeçarja e vetëplagosur në kokë mori fillimisht mjekim në Spitalin e Vlorës dhe më pas u dërgua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se në familje ka patur konflikte të shpeshta, ndërsa prindërit e vajzës janë të divorcuar.
"Vlorë/Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen “Kushtrimi”, ku u vetëplagos rëndë me armë zjarri një 17-vjeçare.
Vihet në pranga babai i 17-vjeçares dhe procedohet në gjendje të lirë gjyshi i saj.
Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:
• arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë;
• referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shtetasja e mitur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje