
Një zjarr i madh ka përfshirë kodrat e Selitës. Flakët dallohen nga larg edhe në qytetin e Tiranës, sidomos në lagjet afër. Ndërkohë mësohet se janë lajmëruar zjarrfikëset të cilat janë nisur drejt vendngjarjes dhe për të nisur shuarjen e flakëve.
Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Këto vatra janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.
Në Tiranë është vazhduar sot puna për shuarjen e zjarrit të rënë më 10.07.2025 në fshatin Zambishë, i cili u përhap në fshatrat Okshtun, Levonje, Himenrajë, Memollaj, Thertor, Koçaj, Sheshaj, Brendaj (njësia administrative Lekaj dhe Sinaballaj, bashkia Rrogozhinë).
Mbrëmë, zjarri mori përmasa të mëdha, veçanërisht në fshatrat Thartor, Sheshaj, Prendaj dhe Dakaj, duke kërkuar ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët ndihmuan në fikjen e disa vatrave që rrezikonin banesa, ullishte dhe pyje me pisha.
Në terren punuan forcat zjarrfikëse të bashkisë Rrogozhinë me 6 automjete, 30 efektivë, 20 punonjës të shërbimeve bashkiake, 20 banorë të zonës dhe dy helikopterë të FA-së. Deri tani janë djegur rreth 80-90 ha shkurre dhe ferra si dhe mbi 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë.
Lini një Përgjigje