
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme, rreth orës 14:35, në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, në vendin e njohur si Vidhas.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete. Përplasja ka rezultuar me pasoja të rënda për drejtuesin e njërës prej makinave dhe bashkëshorten e tij, të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë. Të dy janë transportuar me urgjencë drejt spitalit më të afërt, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur në momentin kur një nga automjetet kishte ndaluar për furnizim me karburant dhe, gjatë përpjekjes për t’u kthyer në rrugën automobilistike, është përplasur me një tjetër mjet që po udhëtonte me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy automjetet kanë devijuar nga rruga, duke përfunduar jashtë saj – njëri mbi tjetrin.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë bërë sigurimin e zonës dhe po vijojnë me hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit.
Grupi hetimor është në punë për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve të përfshira. Hetimi do të shohë nëse shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor apo mungesa e sinjalistikës rrugore ka ndikuar në shkaktimin e ngjarjes.
Lini një Përgjigje