TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Maj 2025, 13:34

Tritoli në Elbasan për azil në BE, arrestohen xhaxhai dhe nipi

Shkruar nga Pamfleti
Tritoli në Elbasan për azil në BE, arrestohen xhaxhai dhe nipi
Tritoli në Elbasan për azil në BE

Xhaxha e nip në Elbasan janë arrestuar nga policia pas skemës për vendosjen e tritolit në apartament me qëllim marrjen e azilit në një nga vendet e BE.

Pronari i banesës, është identifikuar si Arbër Pepa.

Ju rikujtojmë se banorë të lagjes 'Partizani' në qytetin e Elbasanit janë tronditur nga një shpërthim i fuqishëm mbrëmjen e së mërkurës.

Një sasi lënde shpërthyese ishte vendosur në katin e parë të një pallati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm pranë banesës ku është vendosur, por edhe tek banesat e tjera të pallatit. Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar.

Por kanë mjaftuar pak orë që policia të zbulojë ngjarjen dhe të deklarojë se shpërthimi është sajuar nga vetë pronari i banesës, Arbër Pepa, me qëllim që ta përdorte ngjarjen për të kërkuar azil politik në vendet e BE-së.

Nga verifikimet ka rezultuar se lënda shpërthyese është vendosur nga nipi i Arbërit, ndërsa ky i fundit, së bashku me familjen e tij bashkëshorten dhe djalin ishin larguar në drejtim të Greqisë.

Nga shpërthimi me tritol kanë pësuar dëme materiale edhe banesat e tjera të pallatit. Banorët tregojnë se xhamat e dritareve janë thyer, ndërsa rrëfejnë edhe momentin e ngjarjes.

Një fqinje tha se zhurma ishte shumë e fortë dhe se nuk e di arsyen pse ka ndodhur. 

"Dëgjuam një krismë shumë e fortë, thamë çfarë u bë kështu. Kishim frikë të ndiznim dritat. Jam në kat të dytë. Xhamat janë dëmtuar. Këtu poshtë jeton burri, me gruan dhe fëmijën. Por ikën në aksham. E kanë shtëpinë e tyre. Këtu afër jeton e ëma me të vëllain. Neve nuk kemi dëgjuar që të jenë problematikë. Nuk e dimë se si ndodhi kjo gjë."

Një burrë, teksa tregon dëmet në dritare, tha se shpërthimi u duk si një bombë. 

"Një shpërthim i fuqishëm xhamat ranë në tokë. Është një i katit të parë, se atij ia kanë vendosur qëllimisht. Ishin edhe ekspertët e kriminalistikës. Isha në shtëpi me gruan dhe djalin. U trembëm se ishte e fuqishme, si një shpërthim bombe. "
Një tjetër fqinje thekson se mendoi se kishte plasur ndonjë bombë. 

"Thashë se plasi diçka në lagjen tonë. Të tundet shtëpia në atë farë feje. Ka rënë tërmet dhe nuk është tundur shtëpia ashtu. Unë thashë se mos ka plasur ndonjë bombë. Aq u tremba sa s’ka ku shkon. I thashë tim shoq ça bëri vaki. "

tritoli në elbasan për azil në be

Lini një Përgjigje