Kronike22 Shkurt 2024, 10:25

I shpëtoi disa atentateve, arrestohet në Durrës anëtar i bandës së Gaxhait, Armando Sulejmani

Shkruar nga Pamfleti
I shpëtoi disa atentateve, arrestohet në Durrës anëtar i
Armando Sulejmani

Është arrestuar në Durrës anëtari i bandës së Gaxhait, Armando Sulejmani.

Armando Sulejmani është arrestuar nga Policia e Durrësit mbrëmjen e djeshme. Burime nga policia thonë se ai është ndaluar teksa ishte duke lëvizur me automjet.

Në momentin e arrestimit ka qenë me makinë të vjedhur me targa të mbivendosura. Të njëjtat targa janë të një makine Range Rover që rezulton e vjedhur disa kohë më parë në Tiranë.

Sulejmani kishte lidhje të ngushta me Gëzim Sinomatin, i cili u ekzekutua me snajper në ballkonin e banesës së tij në Vlorë, pak kohë më parë. Kujtojmë se “Çipuri” i ka shpëtuar disa atentateve që janë bërë ndaj tij ndër vite.

Ndërkohë policia bën me dije se është shpallur në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.

"Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”", thuhet në njoftimin e policisë.

Sulejmani, i njohur me nofkën “Çipuri” ishte shpallur në kërkim nga policia. Në vitin 2016 ai u qëllua nga dy persona, ku për pasojë u plagos ndërsa të vrarë mbetën kunati dhe shoku i Sulejmanit. Ngjarja ndodhin në zonën e Ujit të Ftohtë.

Kush është Armando Sulejmani?

Armando Sulejmani nga Vlora, të njohur edhe me nofkën “Çipuri”, i është bërë një atentat në muajin maj të vitit 2016, në hyrje të banesës së tij në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Ai u qëllua me 11 plumba, por shpëtoi duke u plagosur vetëm me një plumb në krah.

“Çipuri” njihet si anëtar i bandës së Gaxhait, të akuzuar për konfliktet e tyre me familjen Llanaj. Llanajt dhe Gaxhajt kanë një sagë hakmarrje dhe ngjarje kriminale mes tyre, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt. Ferdinandit iu bë një atentat mafioz në viti. 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani, shënjestra e atentatit të sotëm.

Armando Sulejmani ka qenë i dënuar për vrasje me 20 vite dhe është liruar në rrethana të paqarta rreth 3 vite më parë. Ndërkohë që një muaj më parë, një atentat mafioz iu bë Mikel Mehmetit, nga Selenica e Vlorës i njohur si anëtar i bandës së Llanajve.

Hakmarrja për Harizajn, si i shpëtoi atentatit anëtari i “Gaxhait”

Armando Sulejmani (Çipuri), i cili mbeti i plagosur në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Vlorë në shkurt të 2019-ës, ka dyshime se është përfshirë në vrasjen e një prej “të fortëve” të Vlorës, Edison Harizajt. Sulejmani ishte në makinë bashkë me kunatin Orest Rexho dhe shokun Arjan Hasani, të cilët mbetën të vdekur. Sulejmani, i thirrur ndryshe me pseudonimin “Çipuri”, njihet si anëtar i grupit “Gaxhai”, i drejtuar nga Gazmir Brakaj. 47-vjeçari është akuzuar për shumë vrasje, bashkë me disa anëtarë të tjerë të grupit. Gjatë trazirave të vitit 1997, grupi i “Gaxhait” ushtronte aktivitet kriminal në qytetin bregdetar të Vlorës bashkë me dy grupe të tjera, grupin e “Xhelitajve” në lagjen “Çentrale” dhe grupin e Zani Çaushit në lagjen “Çole”.

Pas ekstradimit nga Italia, Sulejmani vuajti dënim me disa vite burg, për të rifituar lirinë në 2016, ku vetëm pak kohë pas daljes nga burgu u synua eliminimi i tij fizik. Nuk dihet se ku ka nisur përplasja mes Sulejmanit dhe Edison Harizajt, por ka dyshime se “Çipuri” është përfshirë në vrasjen e “Il Padrinos”, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës.

Për vrasjen e tij të ndodhur në Durrës në nëntor 2018, dyshohet se autorët kanë qenë me pagesë, por Suljemani mund të ketë luajtur rol indirekt, pasi Harizaj ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet.

Gjithashtu, emri Harizajt doli edhe në vrasjen mafioze të gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe njihej gjithashtu si mik i Emiljano Shullazit. Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genti Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”.

I shpëtoi disa atentateve, arrestohet në Durrës anëtar i

armando sulejmani gaxhai bande arrestim durres