Kronike22 Shkurt 2024, 10:06

Sekuestrohen 20 mijë euro dhe 15 mijë paund, ndalohen 3 persona në Rinas

Shkruar nga Pamfleti

Sekuestrohen 20 mijë euro dhe 15 mijë paund, ndalohen 3 persona

Policia kufitare ka ushtruar kontrolle në Rinas, Portin e Durrësit dhe në pikat e kontrollit kufitar dhe si rezultat kanë sekuestruar 20 285 euro, 15 000 paund dhe 1490 paketa me cigare.

Gjithashtu janë arrestuar 3 shtetas që ishin shpallur në kërkim për krime kundër personit dhe për falsifikim.

Mes të arrestuarve është dhe Rigels Dacaj, 31 vjeç, i deportuar nga Spanja pasi kishte kryer dënimin atje, për vjedhje. Ai është i dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 3 muaj burgim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në hyrje të Hanit të Hotit u ndalua shtetasja nga Kosova e shpallur në kërkim, Ardita Avdiu, 49 vjeçe, pasi është e dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 6 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”;

Njoftim- Departamenti i Policisë Kufitare

Kontrolle dhe intervistime të detajuara në hyrje/dalje, për të ndaluar shtetasit në kërkim që tentojnë të lëvizin ilegalisht, si dhe për të goditur paligjshmëritë në kufi.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në 4 pika të kalimit: goditën 3 raste të mosdeklarimit të parave ose mallrave. Për to, është arrestuar 1 shtetas, janë proceduar penalisht 3 të tjerë dhe janë sekuestruar 20 285 euro, 15 000 paund dhe 1490 paketa me cigare; ndaluan 3 shtetas të shpallur në kërkim për krime kundër personit dhe për falsifikim.

Në hyrje, u arrestua shtetasi rumun A. C., 48 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëjetuesen e tij, shtetasen rumune F. B., 45 vjeçe, pasi nga kontrollet në valixhet e tyre, u gjetën 1490 paketa me cigare, të cilat nuk i kishin deklaruar te shërbimet e pkk-së;

Në hyrje, nga kontrolli fizik, shtetasit grek K. K., 48 vjeç, banues në Londër, iu gjetën 15 000 paund dhe 570 euro, të padeklaruara. Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për 48-vjeçarin dhe u sekuestruan shumat e parave;

Në hyrje, pas intervistimeve dhe verifikimeve të kryera në koordinim me Policinë e Durrësit, u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Rigels Dacaj, 31 vjeç, banues në Durrës. 31-vjeçari, i deportuar nga Spanja pasi kishte kryer dënimin atje, për vjedhje, është i dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 3 muaj burgim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;

Port, Durrës/Në dalje, nga kontrollet fizike dhe në automjetin tip “Iveco” që drejtonte, shtetasit H. N. iu gjetën 19 715 euro të padeklaruara. Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas dhe u sekuestrua shuma e parave;

Hani i Hotit/Në hyrje, pas intervistimeve dhe verifikimeve të kryera në koordinim me Policinë e Durrësit, u ndalua shtetasja kosovare e shpallur në kërkim Ardita Avdiu, 49 vjeçe, pasi është e dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 6 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”;

Morinë/Në hyrje, pas intervistimeve dhe verifikimeve të kryera në koordinim me Policinë e Beratit, u ndalua shtetasi kosovar i shpallur në kërkim për veprën penale “Kanosja”, V. M., 32 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprime të mëtejshme.