
Policia e Durrësit ka arrestuar Sajmir Elezaj i cili ishte shpallur në kërkim nga forcat blu pasi në 2019-ën në një atentat me armë zjarri në Fushë Mëzezë tentoi të vriste 17 vjeçarin Jonis Hasa.
Arrestimi i tij është bërë gjatë momentit që i riu ka hyrë në portin e Durrësit pasi sapo kishte mbërritur nga Italia.
31-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
"Specialistët e Seksionit Për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, po tentonte të hynte në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Bazuar në këto infomacione dhe në kuadër të kontrolleve të detajuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ushtruar kontrolle të detajuara dhe falë intervistimeve të thelluara, bazuar dhe në informacionet e siguruara më parë nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viaggo”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në hyrje, në Portin e Durrësit, i shtetasit S. E., 31 vjeç, banues në Tiranë.
31-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”., njofton policia.
Lini një Përgjigje