TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Qershor 2026, 10:21

Do të ekstradohet në Itali, policia publikon pamjet e arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Sipas Policisë, Habilaj është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj dhe 13 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Do të ekstradohet në Itali, policia publikon pamjet e arrestimit
Arrestimi i Moisi Habilajt, policia publikon pamjet

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga arrestimi i Moisi Habilajt, i cili u kap në një lokal në Borsh gjatë operacionit të koduar “Metodat”.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një pune intensive hetimore për lokalizimin e një personi të shumëkërkuar nga autoritetet italiane.

Si rezultat i operacionit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi provizor i 48-vjeçarit Moisi Habilaj, banues në Babicë e Vogël, Vlorë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

 

Sipas Policisë, Habilaj është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj dhe 13 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për veprën “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe 46 vjeçari Eduard Ahmeti banues në Sarandë, ndërsa një 70 vjeçar italian me inicialet  S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Habilaj u arrestua në 2017-n nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë. Ai u la në arrest shtëpie nga gjykata e Katanias, por kur Apeli shpalli vendimin u zhduk nga banesa ku qëndronte dhe ishte në arrati. 

Në janar 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për Habliajn dhe tre të akuzuarit e tjerë. Ata u akuzuan se në një hark kohor disavjeçar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë trafikuar sasi të mëdha kanabisi drejt Italisë.

Më pas Gjykata e Posaçme firmosi dënimin e Moisi Habilajt me 15 vjet burg për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ju reduktua në 10 vjet burg.  Dosja u kthye oër rigjykim nga Gjykata e Lartë, por u dha sërish i njëjti dënim.

I pandehuri Nezar Seiti u dënua me 12 vjet dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ndaj tij zbriti në 8 vjet burg.

Në rigjykimin e çështjes, u pushuan akuzat për dy të pandehurit e tjerë, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj, për arsye se ka rezultuar të jenë dënuar me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt penal.

Moisi Habilaj u dënua më parë me 15 vjet heqje lirie nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Prej gati 10 vitesh ai ishte në kërkim nga policia, por vetëm dje është lokalizuar në Vlorë. 

pamjet e arrestimit të moisi habilajt

Lini një Përgjigje