
Ja lidhjet mes Eralbi Breçanit e Ervin Matës dhe akuzat e ngritura nga SPAK...
Është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Spanja drejt vendit tonë Eralbi Breçani, djali i ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) me kërkesë të SPAK, por pas dy vitesh në arrati, në prill u dorëzua pranë policisë spanjolle.
Ai u shpall në kërkim në nëntor të vitit 2023, kur u godit një grup i strukturuar kriminal, në mesin e të cilit ishin personazhe të botës së krimit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të policisë. SPAK lëshoi 10 urdhër-arreste në atë kohë.
Policia arriti të arrestojë vetëm 4 prej tyre. Konkretisht, në pranga ranë Erzen Breçani, Besmir Murati, Bujar Ajezi (Gërmizi) dhe Dedan Gjoni.
Në kërkim u shpallën Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Ervin Mata dhe Eralbi Breçani. Ky i fundit u dorëzua në policinë spanjolle, ndërsa Ervin Mata u arrestua në Brazil pak javë më parë.
Ndaj këtij grupi kriminal janë ngritur akuzat “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” etj. Sipas SPAK, pjesëtarët e grupit kriminal janë përgjegjës për 4 tentativa për trafikimin e mbi 900 kg kokainë dhe marijuanë në vende të ndryshme të Evropës. Ndërsa paratë e fituara nga veprimtaria kriminale më pas i pastronin në Shqipëri.
Sipas dosjes së SPAK, Ervin Mata duket se ka pasur rolin e ndërlidhësit në trafikun e drogës midis bashkëpunëtorëve të tij në Amerikën e Jugut dhe Eralbi Breçanit, djalit të madh të ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, të cilit i kishte dhënë motrën për grua. I gjithë aktiviteti i tyre nisi dhe u zbulua pas sekuestrimit të disa sasive të lëndëve narkotike të kapura në portet e Evropës dhe që vinin nga Amerika e Jugut.
“Në muajin maj të vitit 2023, SPAK ka kërkuar informacione nga Brazili përmes letërporosisë për tentativën e trafikimit të një sasie prej 69 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar më datë 18 maj 2021, me nisje nga Sao Paulo, Brazil, dhe destinacion portin e Valencias në Spanjë. Po kështu, SPAK i ka kërkuar informacion edhe Kolumbisë, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë prej 1.100 kg, ngarkesë e cila është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet doganore në portin Santa Marta në muajin mars 2021”, thuhet në dosje.
Po kështu, SPAK i ka kërkuar informacion Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë, dërguar nga vendet e Amerikës së Jugut me kontejnerin me numër SUDU8014835, me destinacion Antwerp dhe destinacion final shkarkimin në një magazinë në Holandë. Kontejneri rezulton se është transportuar nga Antwerp drejt Holandës me kamion.
Menjëherë pasi SPAK mori informacione lidhur me këto ngarkesa me drogë që po pushtonin ndërkohë Evropën dhe grupin kriminal shqiptar që rezultonte i përfshirë, kërkoi nga homologët e tij francezë informacione mbi bisedat që ata kishin kryer në platformën e komunikimit Sky ECC. Aty nisi të zbardhej roli i “Bolit”, nofka me të cilën thirrej Ervin Mata, dhe i burrit të motrës së tij, Eralbi Breçani.
“Në ngjarjen e datës 5 janar 2021, ku rezulton se është sekuestruar një sasi prej 446 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Holandë, rezulton se informacioni i ardhur nga Oficeri i Kontaktit pranë Ambasadës së Mbretërisë së Holandës është si më poshtë: Ai ka informuar se ishte kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur ‘Maasvlakte’ në portin detar të Roterdamit, Holandë. Gjatë kontrollit në kontejner u zbulua një sasi droge, si edhe u arrestuan dy shtetas holandezë. Kontejneri rezulton se ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador. Gjatë analizimit të bisedave në Sky ECC mes Ismail Zenelit me nofkën ‘Daja’ apo ‘Dajloki’ dhe ‘Transporter’, Eralbi Breçanit me nofkën ‘Boli’ ose ‘Toni’, Besmir Murtatit me nofkën ‘Kukësi’ dhe përdoruesit të paidentifikuar me nofkën ‘Elb’ ose ‘Elb Nissan’, del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre shtetasve dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Po kështu evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antwerpit, Belgjikë, dhe Roterdamit, Holandë”, thuhet në dosje.
Bazuar në detyrat për të cilat ata ishin ngarkuar, secili prej shqiptarëve të përfshirë në këtë aktivitet kishte një rol të posaçëm. Kështu, sipas grupit hetues, Ismail Zeneli mbante rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, si edhe të sigurimit të daljes së saj nga porti i Valencias në momentin kur mbërrinte aty e transportuar me kontejner.
Eralbi Breçani kishte rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po kështu, për shkak të lidhjeve të tij, kryesisht në Amerikën e Jugut, ai kishte krijuar kontakte edhe me anëtarë të tjerë të grupit që kishin udhëtuar në këto shtete, me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.
Lini një Përgjigje