TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Qershor 2026, 09:21

“Dorëzohu policia”, si ranë në pritë efektivët; ish-ushtaraku Braçellari qëlloi pa paralajmërim

Shkruar nga Pamfleti

“Dorëzohu policia”, si ranë në pritë

Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit, qarku i Korçës, ku një efektiv i forcave Shqiponja mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. Viktima Enea Mekolli dhe i plagosuri Edison Adri ishin pjesë e një operacioni policor që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së enjtes në një terren malor në fshatin Lozhan, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes Violand Braçellari ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes me armë.

Nga raportimet mësohet se grupi i efektivëve iu afrua vendit ku strehohej i shpalluri në kërkim Braçellari, që rezulton i dënuar me 10 vjet burg për trafik narkotikësh dhe konsiderohej një personazh me rrezikshmëri të lartë. Ish-ushtaraku i kthyer në një personazh problematik për ligjin, kishte arritur t’i shpëtonte 4 ose 5 operacioneve të mëparshme, madje edhe forcave RENEA.

Policia, sipas raportimeve, kishte siguruar në rrugë operative informacione se Braçellari strehohej në Lozhan, çka është pasuar me ndërmarrjen e veprimeve për të kapur personin e kërkuar.

Një pjesë e policëve të përfshirë në aksion kanë qenë civilë për të mos ngjallur dyshime kur të afroheshin në vendin ku strehohej Braçellari.

“Dorëzoju policia” mësohet se ishin thirrjet që iu drejtuan Braçellarit, përpara se ky i fundit të qëllonte me armë automatike dhe pa paralajmërim, çka duket se ka kapur të papërgatitur efektivët në aksion.

Si pasojë e të shtënave ka mbetur i vrarë efektivi Mekolli dhe është plagosur rëndë kolegu i tij, Adri.

Policia i është kundërpërgjigjur të shtënave, ndërsa ka plagosur autorin e dyshuar, i cili sipas raportimeve ka marrë një plumb në krah.

operacioni policia vrasja

Lini një Përgjigje