
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së shtunës në Ferizaj të Kosovës, ku një 19-vjeçar ka plagosur me armë zjarri motrën e tij 25-vjeçare.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Mejdi Xhaferri”, ku pas të shtënave, i riu u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë si dhe është sekuestruar edhe arma e krimit.
E plagosura mori ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas u transportua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet në vendin e ngjarjes janë kryer nga ekipi hetimor, ndërkohë që motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informacionin për një plagosje në rrugën “Mejdi Xhaferri”. Sipas të dhënave fillestare, i dyshuari E.M., mashkull kosovar 19-vjeç, ka shtënë me armë në drejtim të motrës së tij 25-vjeçare, duke e lënë të plagosur, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë të njësive policore, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar pak më vonë.
Viktima ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në rast.
Motivi i incidentit ende nuk është bërë i ditur. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe hetimet janë në vijim”, njofton policia e Kosovës.
Lini një Përgjigje