
Emocione të forta kanë shoqëruar transportimin me helikopter të efektivit të policisë Edison Adri drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ai do të marrë trajtim të specializuar pas plagosjes së pësuar në detyrë.
Pamjet tregojnë dhimbjen dhe shqetësimin e kolegëve të tij, ndërsa një prej efektivëve nuk arrin të fshehë dot dhimbjen dhe shpërthen në lot. Të tronditur shfaqen edhe familjarët e 36-vjeçarit, të cilët e përcjellin mes lotësh në një nga momentet më të vështira për ta.
Plagosja e Adrit ndodhi gjatë një operacioni policor për arrestimin e Violand Braçellarit, 43 vjeç, i dënuar me 10 vite burg për trafik droge. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, i dyshuari hapi zjarr ndaj policisë, duke shkaktuar një përplasje me pasoja të rënda.
Nga sulmi humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa Braçellari mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua nga policia.
Ndërkohë, mjekët po ndjekin nga afër gjendjen shëndetësore të Edison Adrit, i cili është transferuar në kryeqytet për kujdes më të avancuar mjekësor.
Si ndodhi ngjarja?
Një operacion i Policisë për kapjen e një personi në kërkim përfundoi tragjikisht në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur.
Aksioni u zhvillua në Malin e Bodenit, pas informacioneve se Violand Braçellari, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 7 muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, fshihej në një stan të izoluar në pyll.
Sipas të dhënave paraprake, forcat e policisë i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej, por ai ka refuzuar dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve. Nga të shtënat mbeti i vrarë 34-vjeçari Enea Mekolli, ndërsa efektivi Edison Adri, 36 vjeç, u plagos në nofull.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia iu kundërpërgjigj autorit, duke e lënë atë të plagosur. Adri u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Korçës dhe më pas me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Edhe Braçellari mori plagë në trup dhe pas ndihmës së parë në Korçë është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë shoqërimit ai ka ruajtur gjakftohtësinë dhe nuk ka shfaqur shenja pendese.
Bëhet me dije se, stani ku strehohej i shumëkërkuari ishte i pajisur me kamera sigurie dhe ruhej nga qen, ndërsa dyshohet se ai kishte përshtatur edhe ambiente të tjera në zonën pyjore për t'iu shmangur policisë.
Braçellari ishte në kërkim nga Policia e Vlorës dhe njihej në zonën e Lozhanit si person me precedentë kriminalë. Në vitin 2024 ai ishte marrë i pandehur nga Prokuroria e Korçës për veprën penale "plagosje e lehtë me dashje", por nuk ishte paraqitur në asnjë seancë gjyqësore, pasi nuk ishte lokalizuar nga autoritetet për t'u njoftuar zyrtarisht.
Po ashtu, 44-vjeçari rezulton të jetë hetuar edhe për një incident tjetër të ndodhur më herët në zonë, ku dyshohet se kishte tërhequr zvarrë me kalë një person.
Lini një Përgjigje