TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Qershor 2026, 12:23

Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ dhe plagosi një tjetër, publikohen pamjet nga stani ku fshihej Braçellari (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ dhe plagosi një tjetër,
Pamje nga stani ku fshihej Braçellari

Në ambientin e përshtatur për jetesë, i shumëkërkuari kishte siguruar kushte bazë qëndrimi, si dhe mbante armë zjarri dhe municion luftarak.

Janë publikuar pamjet me dron nga stani në Lozhan të Maliqit, ku ishte strehuar i shumëkërkuari Violand Braçellari. Sipas informacioneve zyrtare, Braçellari nuk iu bind thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar dhe hapi zjarr në drejtim të efektivëve të forcave speciale “Shqiponja”.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri. Gjatë operacionit mbeti i plagosur edhe vetë Braçellari, i cili, sipas burimeve, ka marrë tre plagë nga armë zjarri.

Bëhet me dije se, Braçellari kishte përshtatur stanin për të jetuar për një periudhë të gjatë, duke krijuar kushtet e nevojshme të qëndrimit. Gjithashtu, sipas informacioneve paraprake, aty mbaheshin armë zjarri dhe municion luftarak. Mësohet se autori jetonte aty vetëm me nënën e tij. 

Ai ishte një ish-ushtarak, i rrezikshëm për banorët e zonës dhe në kërkim nga policia e Vlorës për kultivim narkotikësh. Bëhet me dije se, prej terrenit të vështirë ku fshihej, ai i kishte shpëtuar disa herë RENEA-s, pasi për të shkuar të stani duhet të ecësh 40 minuta në këmbë.

Braçellari u lokalizua gjatë një operacioni policor mëngjesin e sotëm, ku, sipas autoriteteve, refuzoi të dorëzohej dhe hapi zjarr ndaj efektivëve të forcave “Shqiponja”. Nga përplasja mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos efektivi Edison Adri. I plagosur mbeti edhe vetë Braçellari.

Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ dhe plagosi një tjetër,

44-vjeçari rezulton me precendentë të mëparshme kriminale dhe cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024.

Mbetet mister se si Braçellari u lirua nga qelia, kur ai ishte arrestuar dhe mori edhe një vendim me 10 vite burg nga Gjykata e Korçës.

Në vitin 2024, Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj shtetasit Valdet Bezhani. Në janar 2026, Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancën gjyqësore, pasi ai nuk ishte gjetur në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.

Gjithashtu, bëhet me dije se emri i Braçellarit është përmendur edhe në një episod të mëparshëm dhune. Dyshohet se rreth një vit më parë ai ka dhunuar një person, duke e tërhequr zvarrë me kalë për më shumë se dy orë.

Lini një Përgjigje