Kronike11 Tetor 2023, 11:19

Ekzekutoi policin dhe djalin e tij 23 vite më parë në Fier, Engjëll Brahimi kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutoi policin dhe djalin e tij 23 vite më parë në Fier,

Ëngjëll Brahimi, 60-vjeçari shqiptar i cili u arrestua në janar të këtij viti në Kanada pasi ishte i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie dhe djalit të tij 8-vjeçar 23 vite më parë në Fier, po kundërshton ekstradimin në vendin tonë.

Përmes avokatit të tij, Brahimi ka kërkuar sot nga autoritetet kanadeze që të mos ekstradohet në Shqipëri.

Mediat e huaja raportojnë se avokati Andrew Barbacki ka vënë në dyshim mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, duke kërkuar që Brahimi të mos ekstradohet, ndërsa Brahimi po e pret vendimin në liri.

“Gjithçka që kemi është gruaja e viktimës, e cila bëri një deklaratë pesë muaj më vonë, e cila e identifikoi në një album fotografik. Ndërsa, sipas dëshmive, sulmuesit ishin të mbuluar me kapuç”, tha Barbacki këtë të martë në gjykatën e Montralit, duke shpresuar që klienti i tij mos të ekstradohet.

Ekzekutoi policin dhe djalin e tij 23 vite më parë në Fier,

Autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin e Ëngjëll Brahimit më 19 maj. Ai akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë, Astrit Braçe dhe djalin e tij 8-vjeçar, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000 në Fier.

E gjithë vrasja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje. Kjo sepse në vitin 1997, vëllai i Ëngjëll Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance. Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit. Në 1999 ndaj Braçes u organizua një atentat, por rezultoi i dështuar. Ëngjëll Brahimi ishte i dyshuari kryesor, por ndaj tij nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.

Më 10 gusht 2000, Braçe me bashkëshorten, me djalin e tyre Asllanin, vajzën, mbesën dhe nipin po shkonin në plazh. Të gjithë po udhëtonin në mjetin Mercedes-Benz dhe kur po ktheheshin, makina është goditur me armë zjarri në fshatin Poro-Pishë ku humbi jetën efektivi dhe djali i tij 8 vjeçar. Brahimi dyshohet se ka dalë nga një Audi dhe ka hapur zjarr në drejtim të Mercedes-Benz. Referuar asaj që shkruan mediat kanadeze, oficeri i policisë ka arritur të dalë nga makina dhe është nisur drejt një lumit Vjosë. Ndërkohë, gruaja e Braçes ka arritur ta shohë autorin dhe i ka bërtitur “kriminel më vrave djalin”. Në këtë momente, autori nuk i është përgjigjur, por ka hipur në automjetin e tij dhe është larguar për të ndjekur oficerin. Gruaja e Braçes tha se më vonë dëgjoi të shtëna. Trupi i të shoqit u gjet të nesërmen në buzë të lumit Vjosa.

Sipas dokumenteve të depozituara në kërkesën për ekstradim, u konfirmua se Piro Kota ishte pikërisht Ëngjell Brahimi. Në momentin e arrestimit në janar, ai konfirmoi se Ëngjëll Brahimi duke thënë se ishte në dijeni të akuzave kundër tij dhe se hyri në Shtetet e Bashkuara e më pas në Kanada me një emër të rremë, duke marrë përfundimisht mori nënshtetësinë nën këtë identitet të rremë.

engjell brahimi ekstradim shqiperi ekzekutoi fier