Është publikuar fotoja e "Porsche"-it, me të cilin dyshohet se autori Armand Shakaj ka përdorur për të transportuar trupin e pajetë të Eglant Koçit.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin hetuesit dyshojnë se është vrarë dhe më pas është groposur.
Ndërkohë, është publikuar edhe fotoja e automjetit të Armand Shakajt, me të cilën dyshohet se ka transportuar trupin e pajetë të të riut.
Policia e Tiranës, me mbështetjen e autoriteteve të Kosovës, vijon operacionet e kërkimit për gjetjen e trupit të të riut. Në terren po përdoren pajisje të specializuara, ndërsa kërkimet janë përqendruar në disa zona të periferisë së kryeqytetit.
Pas kontrolleve në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, grupi hetimor ka fokusuar veprimet në zonën e Qafëmollës dhe në Pëllumbas, vende që dyshohet se njiheshin mirë dhe frekuentoheshin shpesh nga Armand Shakaj, 41-vjeçari i shpallur në kërkim për ngjarjen.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime që automjeti i Shakajt të jetë parë në zonën e Pëllumbasit pas zhdukjes së Koçit.
Shakaj u identifikua që në ditët e para të hetimit si një nga personat me të cilët kishte pasur kontakt Eglant Koçi para zhdukjes. Ai ishte ndër të parët që u mor në pyetje nga policia.
Nga verifikimi i tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit me të cilin Koçi kishte komunikuar ishte pikërisht Armand Shakaj. Gjatë marrjes në pyetje, ai deklaroi se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e mikut të tij dhe se ishte po aq i shqetësuar për zhdukjen e tij.
Sipas burimeve, pas daljes nga komisariati ai është takuar edhe me familjarë dhe të afërm të Eglant Koçit, të cilëve u ka shprehur shqetësimin për zhdukjen dhe u ka kërkuar ta njoftonin nëse do të kishin informacion për të.
Megjithatë, pavarësisht se u mbajt nën vëzhgim nga policia pas dëshmisë së tij, Shakaj ka humbur gjurmët dhe është larguar. Në një moment të mëvonshëm, kur është kërkuar të paraqitej sërish për dëshmi, ai ka pretenduar se ndodhej në spital.
Pas analizimit të pamjeve të shumta të kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore, autoritetet arritën në dyshimin se Shakaj mund të ketë rrëmbyer Eglant Koçin.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, 41-vjeçari nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit të Shqipërisë, çka ka forcuar dyshimet e hetuesve se ai mund të fshihet ende në Tiranë ose në zonat përreth.
Kujtojmë se Eglant Koçi rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor, ndërsa grupi hetimor po punon mbi dyshimet se 34-vjeçari është vrarë dhe më pas trupi i tij është groposur. Në qendër të hetimeve ndodhet Armand Shakaj, i njohur si “Mand Dhelpra”, mik i ngushtë i Koçit dhe i shpallur në kërkim nga policia. Dyshimet ndaj tij janë forcuar pas analizimit të pamjeve filmike dhe të dhënave telefonike, nga të cilat ka rezultuar se ai ishte personi i fundit që kishte komunikuar me Koçin para zhdukjes së tij.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Porsche” të përdorur nga Shakaj, hetuesit gjetën vegla pune, mes tyre edhe një lopatë me mbetje balte, element që ka shtuar dyshimet se trupi mund të jetë groposur. Sipas hetuesve, trupi i 34-vjeçarit mund të ketë qëndruar për më shumë se 24 orë në automjet, i cili më pas u transportua me karrotrec drejt zonës së Ibës. Ndërkohë, hetimet po fokusohen edhe te një konflikt i mundshëm mes dy miqve për aktivitete që lidhen me kriptovalutat dhe një shumë të konsiderueshme parash të pashlyera. Kërkimet për gjetjen e trupit vijojnë në disa zona të Tiranës dhe Elbasanit, me mbështetjen edhe të forcave të specializuara nga Kosova.
Lini një Përgjigje