
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar, pas arrestimit nga policia të Marklen Hakës në Nikël.
Hoxha shprehet se Haka është një emër i njohur për drejtësinë, në kërkim për vepra të rënda penale. Sipas ministrit, policia sot ka kryer një punë profesionale.
Ai shkruan se i shumëkërkuari Marklen Haka është kapur me armë zjarri, ndërsa në polici po shoqërohen edhe persona të tjerë.
“Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”, shkruan ministri Hoxha.
Marklen Haka është arrestuar pasi ishte në kërkim në kuadër të operacionit ‘Revansh’. Haka prej kohësh qëndronte në Dubai, por së fundmi kishte ardhur në Nikël. Ai është arrestuar në një operacion sekret, pasi policia kishte informacione se kishte ardhur në zonën e Niklës.
Lini një Përgjigje