
Policia e Tiranës e ka referuar në SPAK hetimin lidhur me arsenalin prej 23 armësh të zbuluar të martën e javës së shkuar në një furgon të parkuar në rrugën "Myslym Shyri" në kryeqytet.
Burime pranë grupit hetimor i thanë TV Klan se çështja i është kaluar Prokurorisë së Posaçme pas dyshimeve se armët e sekuestruara i përkasin një grupi kriminal.
Dyshimet e hetuesve janë se arsenali i përket grupit të A.H., i shpallur në kërkim nga SPAK si porositësi dhe organizatori i vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020, ngjarje kjo e zbardhur falë zbërthimit të komunikimeve në SKY EC.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia ka vënë në pranga 34-vjeçarin E.S., në emrin e të cilit ishte vënë pronësia e furgonit ku u zbuluan armët.
I riu më herët kishte punuar në lokalin Monopol Lounge, në pronësi të A.H., fare pranë vendit ku u gjet furgoni me arsenalin e armëve.
Përpara hetuesve, ai ka mohuar të ketë lidhje me to, teksa nuk ka pranuar të japë të dhëna as për vendodhjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim për arsenalin.
Armët në fjalë janë dërguar për ekzaminim, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme. /Tv Klan
Lini një Përgjigje