Kronike 3 Maj 2023, 16:19

Gjakmarrja mes fiseve Lekstakaj-Nikulaj, Londra refuzoi ekstradimin e Pjetër Lekstakaj në 2007-tën

Shkruar nga Pamfleti
Gjakmarrja mes fiseve Lekstakaj-Nikulaj, Londra refuzoi ekstradimin e
Pjetër Lekstakaj

Shqipëria ka nisur përpjekjet për të ekstraduar nga Anglia një shqiptar dhe tre britanikë nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Ata janë, Edmond Haxhia, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman ndërsa në arrati ndodhen Harry Simpson bashkë me Ruben Saraiva.

Në vitin 2007 Shqipëria dështoi në ekstradimin nga Anglia të Pjetër Lekstajt nga familja Lekstakaj në gjakmarrje me familjen Nikulaj.

Top Channel ka raportuar këtë ekstradim të dështuar dhe ka risjellë detajet. Dosja “Nikulaj” me 300 faqe përkthyer në kohë rekord nga Ministria e Drejtësisë, bashkë me një letër garanci për një gjyq të drejtë, firmosur nga ministri Ulsi Manja, i ka mbërritur gjykatës në Londër.

Kërkesa për ekstradim nga Anglia, e një shqiptari dhe tre anglezëve nën dyshim se u përfshinë në vrasjen e Ardian Nikulajt, është hera e dytë për shtetin shqiptarë kërkues të ekstradojë persona, të përfshirë në një konflikt që daton nga viti 1997 mes familjeve Lekstakaj dhe Nikulaj.

Ky person në këtë foto ekskluzive siguruar nga Top Channel, është Pjetër Lekstaj. Në vitin 2007 do të arrestohej në qytetin e Birminghamit me qëllim ekstradimi në Shqipëri. Pjetër Lekstakaj i ndoqi seancat gjyqësore të ekstradimit në gjendje të lirë me kusht si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore.

Gjykata e ekstradimeve në Londër me kërkesë të Top Channel vuri në dispozicion vendim për këtë çështje në të cilën thuhet:

“Ekstradimi Pjetër Lekstakaj kërkohet nga Shteti Shqiptar pasi ai është dënuar në mungesë me 10 vite burg për tentativë vrasje dhe përdorim armë luftarake”, shkruhet në vendim.

Disa muaj më pas kjo gjykatë e refuzoi kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar nga Anglia Pjetër Lekstakaj me këtë arsyetim.

“Duke marrë në konsideratë situatën shëndetësore mendore të tij, konstatojmë se ai përbën një risk të lartë për vetëvrasje dhe kërkon kujdes 24 orë nga bashkëshortja. Ai nuk është i mundur për tu përballur me rigjykim. Në të tilla kushte do të ishte jo e drejtë lejimi ekstradimit të tij. Në Shqipëri ka kujdesje të limituar në trajtimin e depresionit ndaj këtij personi si në QSUT apo spitalin e burgut”.

Nëntë vite më pas nga ky proces ekstradimi në Londër, Eltoni djali Pjetër Lekstakajt do t'i dërgonte një kërkesë kryeprokurorit të Lezhës, për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, e ardhur në Shqipëri bashkë me babanë Pjetrin dhe nënën për të dëshmuar.

Ata donin të depozitonin dëshmitë e tyre për vrasjen e Gëzim Lekstakaj dhe të Laurent Gjetjas më 28.09.1997 bashkë me atë të Gjovalin Lekstakajt më 30.09.1999 ku mbeti i plagosur Pjetër Lekstakaj. Kjo nuk u realizua asnjëherë.

Nëse Pjetër Lekstakaj do të ekstradohej nga Anglia në Shqipëri dhe nëse djalit të tij do t'i merrej dëshmia, e më pas të vepronte drejtësia shqiptare, atëherë do të realizohej një shkëputje të zinxhirit të gjakmarrjes. E me të gjitha gjasat kjo do të shërbente për mos t'ia marrë jetën Ardian Nikulajt bazuar në ligjet e kanunit siç dyshohet deri më tani./Top Channel

lekstakaj nikulaj ekstradim londer gjakmarrje