Kronike16 Mars 2023, 10:45

Gjyqi ndaj Arbër Paplekajt, prangoset në sallë dëshmitari; ishte në makinë me Mehmet Grecën ditën kur u vra Pjerin Xhuvani

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqi ndaj Arbër Paplekajt, prangoset në sallë dëshmitari;

Një nga dëshmitarët e procesit gjyqësor kundër Arbër Paplekaj është vënë në pranga në sallën e gjyqit. Donald Zane u ndalua pasi dha dëshmi të rreme para gjykatës.

I riu është mik i ngushtë i Mehmet Grecës dhe ndodhej në të njëjtën makinë ku ky i fundit u ndalua nga grupi i ashtuquajtur “mbrojta e votës” i ngritur nga Partia Demokratike. Si pasojë e përplasjeve, degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit që solli tragjedinë e vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Donald Zane, ka pasur deklarata kontradiktore gjatë fazës së hetimeve në prokurori dhe ditën e djeshme ku është thirrur si dëshmitar para Gjykatës së Elbasanit.

Kujtojmë se Greca u akuzua se po blinte vota për PS-në, gjë që më pas shkaktoi edhe përplasjen me armë që solli vdekjen e mjekut Xhuvani. Greca nga ana tjetër i ka mohuar akuzat që janë bërë ndaj tij duke deklaruar se ishin të pavërteta dhe duke shtuar se ishte marrë peng nga mbështetës të Partisë Demokratike.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi. Ndaj Arbër Paplekajt rëndon akuza për 'vrasje me dashje në rrethana cilësuese'. Sipas Kodit Penal, Papleka rrezikon nga 20 vite burg deri në burg të përjetshëm.  Ndërkohë, dy zv.drejtorët e policisë Nikollaq Pallën, Albert Nushin dhe 6 policët e forcave 'Shqiponja' akuzohen shpërdorim detyre.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

vrasja e pjerin xhuvanit gjyqi ndaj arbër paplekajt