Kronike15 Mars 2023, 20:45

Korrupsion dhe abuzime me tenderët, arrestohet me urdhër të SPAK kryebashkiaku i Bulqizës

Shkruar nga Pamfleti

Korrupsion dhe abuzime me tenderët, arrestohet me urdhër të SPAK

Në aksionin "top secret" për arrestimin e kryebashkiakut Alla nuk kanë marrë pjesë efektivë të policisë së Bulqizës dhe as ata të Peshkopisë. I gjithë aksioni është kryer nga prokurorë të SPAK...

Prokuroria e Posaçme ka vënë në pranga këtë pasdite kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla.

Pas një hetimi disa mujor, SPAK ka konstatuar se ai ka abuzuar me tenderat dhe sot ka nxjerrë një urdhër arresti, i cili është ekzekutuar nga policia. Mësohet se bashkë me të janë arrestuar dhe disa zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave.

Mësohet se agjentët e BKH dhe oficerë të policisë kanë zbarkuar në banesën e Allës dhe të familjarëve të tij, duke krye kontrolle të imtësishme për gjetjen e provave. Burime bëjnë me dije se në aksionin për arrestimin e kryebashkiakut Alla nuk kanë marrë pjesë efektivë të policisë së Bulqizës dhe as ata të Peshkopisë.

I gjithë aksioni është kryer nga prokurorë të SPAK të mbështetur nga forcat e operacionale të cilët kishin shkuar nga Tirana. Gjithashtu bëhet me dije se Allës i janë sekuestruar celularët, ndersa shoqërimi i tij drejt Tiranës është bërë nën masa te rrepta sigurie. I gjithë operacioni ka qenë "top sekret". 

Pritet që SPAK të reagojë nesër dhe të japë detaje mbi dosjen kundër kryebashkiakut. Duhet theksuar se arrestimi i Allës, vjen dy muaj nga zhvillimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 maj.

Ende nuk dihet fiks se për çfarë tenderësh rastesh ai akuzohet, por dy vite më parë ai u përfshi në një skandal. Në media doli një video ku dyshohej se ai konsumonte kokainë. Alla në atë kohë u mor dhe në pyetje por në fund SPAK nuk gjeti elemente të veprës penale.

Lidhur me arrestimin reagoi edhe gazetari Artan Hoxha, i cili ka bërë dhe ironi duke kujtuar videon në fjalë. “Edhe i pata dalë borxhit me kohë!!! Të kishte ikur që në atë kohe sot nuk do përfundonte në burg…. SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i akuzuar për korrupsion dhe abuzime me tendera publikë”, shkruan Hoxha.