TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Shtator 2023, 09:59

Hiqej si prokuror dhe mashtronte qytetarët, arrestohet 55-vjeçari në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Hiqej si prokuror dhe mashtronte qytetarët, arrestohet 55-vjeçari

Vebi Brahimaj ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet për mashtrimin ndaj një qytetareje.

Uniformat blu bëjnë me dije se Brahimaj është prezantuar si funksionar shtetëror, ndërsa ka përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Vebi Brahimaj i ka marrë një shumë prej 10 mijë eurosh një gruaje. Ai ishte prezantuar si prokuror në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe i kishte premtuar dyfishim të parave për dy javë pasi i duheshin për një tender të uniformave policore.

Megjithëse koha kalonte, ai nuk ia kthente paratë zonjës në fjalë. Madje në emisionin “Stop” u publikuan disa pamje ku ai e ngacmonte seksualisht gruan ndërsa borxhin vetëm e shtynte.

E kur gruaja shkoi në ambientet e SPAK ku i dërgoi një video Vebi Brahimit, ky i fundit e kërcënoi me jetë dhe e shau me fjalët më të rënda.

Policia njoftoi gjithashtu se 55-vjeçari u vu në pranga për “Mashtrim” dhe “Përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”.

"Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bën fjalë për një shtetas, i cili me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si funksionar shtetëror, kishte përvetësuar shuma të konsiderueshem parash nga një shtetase, ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorim e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë arrestuan shtetasin Vebi Brahimaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

prokuror qytetare tirane

Lini një Përgjigje