
Ai ndodhej me masën "arrest në shtëpi" në Shkodër. Autoritetet kanë nisur kërkimet, ndërsa po hetohen rrethanat e arratisjes.
Hasan Ferracaku, një prej të dyshuarve si pjesëmarrës në masakrën e ndodhur në Velipojë pesë vite më parë, ku mbetën katër persona të vrarë dhe dy të plagosur, është arratisur nga banesa e tij në Shkodër.
Në momentin e arratisjes, Ferracaku ndodhej me masën e sigurisë "arrest në shtëpi" dhe ruhej 24 orë në ditë nga efektivë të Policisë së Shkodrës. Pavarësisht mbikëqyrjes së vazhdueshme, ai ka mundur të largohet nga banesa, ndërsa ende nuk dihen rrethanat se si i ka shpëtuar kontrollit policor.
Ferracaku ishte lënë në arrest shtëpie pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Sipas informacioneve, ai mbahej nën ruajtje prej afro tre vitesh.
Emri i tij lidhet me ngjarjen e rëndë të 26 qershorit 2021 në Velipojë, ku një konflikt mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj për administrimin e një parcele shezlongësh në plazh u përshkallëzua në përdorimin e armëve të zjarrit.
Si pasojë e përplasjes humbën jetën Kujtim Ferracaku, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si edhe kamarieri 20-vjeçar Myzerim Zeneli, i cili ndodhej në ditën e parë të punës. Hasan Ferracaku dhe nipi i tij, i mitur në atë kohë, mbetën të plagosur dhe u arrestuan menjëherë pas ngjarjes.
Sipas dosjes hetimore, palët ishin takuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por situata degradoi në shkëmbim zjarri. Prokuroria ka administruar pamje të kamerave të sigurisë dhe dëshmi të personave të përfshirë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e Hasan Ferracakut, ndërsa po hetohet edhe mënyra se si ai arriti të arratisej pavarësisht masave të sigurisë.
Lini një Përgjigje