Një 22-vjeçar është arrestuar në Shëngjin me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Policia bëri të ditur se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle përmes rrjetit ENFAST.
Në pranga ra shtetasi 22-vjeçar, lindur në Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi.
Sipas policisë, Gjykata Juzgado Instruccion 2 Ibiza në Spanjë kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti më 18 maj 2026, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë.
Pas informacioneve të siguruara se i kërkuari fshihej në qarkun e Lezhës, shërbimet policore organizuan operacionin që çoi në lokalizimin dhe arrestimin e tij në zonën e Shëngjinit.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe ato spanjolle po vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e 22-vjeçarit drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
"Akuzohet në Spanjë, për tentativë për vrasje, kapet në Shëngjin dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 22-vjeçari. Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas në kërkim ndërkombëtar fshihej në Lezhë.
Bazuar në informacionin e shkëmbyer në kohë reale me partnerët spanjollë, nëpërmjet rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u kap në Shëngjin dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi: -O. P., 22 vjeç, lindur në Lezhë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata Juzgado Instruccion 2 Ibiza, Spanjë, më datë 18.05.2026, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë. Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit O. P., në Spanjë", njofton policia.
Lini një Përgjigje