
Ragip Gila, i cili u arrestua si autori i dyshuar i atentatit që shkaktoi dy viktima dhe dy të plagosur, mëngjesin e sotëm në Shkodër, është liruar nga qelia pak kohë më parë ku vuante dënimin për prodhim dhe shitje droge.
29-vjeçari u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim. Në aplikimi të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 3.4 vite burg. Gila qëndroi në qeli më shumë se 1 vit, deri në sa në 4 mars të këtij viti, u lirua përfundimisht.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, Ragip Gila u lirua me kusht nga Gjykata e Shkodrës. Dënimi i tij u pezullua dhe për 5 vite do të ishte në shërbim prove. Në vendimin e dhënë, specifikohen edhe kushtet e shërbimit të provës.
“Vënia në provë e të pandehurit Ragip Gila për në periudhë kohe prej 5 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës ai të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kohë së provës, i pandehuri Ragip Gila të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër. Urdhërohet i pandehur Ragip Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në atentatin e sotëm mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit, ku ndodhi krimi.
Pali humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Kraja disa minuta më pas në spitalin e Shkodrës. Ndërkohë Erogen Brajoviç, që dyshohet se ishte edhe objektivi i atentatit, është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për një trajtim më të specializuar mjekësor. Nga raportimet mësohet se Erogen Brajoviç është goditur nga 3 plumba.
Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër.
Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka punuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët, ndërsa viktima tjetër Liridon Kraja, ishte shofer i Brajoviç.
Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur ngjarjen e rëndë ku viktima mbetën dy persona dhe dy të tjerë u plagosën.
Një nga pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, ndërsa grupi hetimor gjithashtu po analizon nëse kjo ngjarje ka lidhje ose jo me atë që njihej si masakra e Dobraçit, e ndodhur muaj më parë.
Lini një Përgjigje