
Publikohet fotoja e Ylli Zallës, personit të shpallur në kërkim, pasi në banesën e tij u gjet një sasi e konsiderueshme armësh dhe lëndësh shpërthyese.
Zalla, një person me precedent të mëparshëm kriminal, dyshohet se ka furnizuar me armë personat që kryen atentatin në Rinas të martën e 11 nëntorit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur rëndë Mustafa Sheqeri.
Banesa ndodhej në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
48-vjeçari Zalla është shpallur në kërkim dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.
Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për blutë. Ai ka rënë në pranga edhe në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale. Në ato kohë, Zalla dyshohej për lidhje me grupet terroriste të ISIS, që dërgonin shqiptarë për të luftuar në Siri. Ai u arrestua, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Krujë kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg për "Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Nuk dihet nëse ai është dënuar për këtë çështje.
Lini një Përgjigje