Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar nga Shijaku, i cili dyshohet se ka kanosur dy shtetas për motive të dobëta, duke shkaktuar shqetësim dhe pasiguri në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak, një mjet prerës (thikë), si dhe dy radio policie, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Burime policore bëjnë me dije se sendet e sekuestruara po verifikohen për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale apo për veprimtari të paligjshme, ndërsa po hetohet edhe mënyra se si 36-vjeçari i kishte siguruar ato.
Ndërkohë, Policia po vijon punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit me iniciale L.I., si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila ka nisur hetimet për veprat penale të kanosjes, mbajtjes pa leje të municionit luftarak dhe posedimit të pajisjeve që përdoren nga strukturat e rendit.
Lini një Përgjigje