
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pritur në një takim Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar të Policisë italiane, Lorenzo Bucossi, dhe Drejtorin e Shërbimit Qendror Operativ të Policisë së Shtetit italian, Marco Cali, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjatë takimit, palët vlerësuan rezultatet e arritura në goditjen e grupeve kriminale, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua skuadrave të përbashkëta hetimore, të cilat konsiderohen një nga instrumentet më efektive të bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas autoriteteve, Policia e Shtetit ka numrin më të madh të këtyre skuadrave të përbashkëta pikërisht me homologët italianë, çka dëshmon nivelin e lartë të besimit dhe koordinimit mes dy institucioneve.
Në tryezën e bisedimeve u diskutua edhe për monitorimin ajror dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, një model bashkëpunimi që ka prodhuar rezultate konkrete dhe është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Skënder Hita shprehu mirënjohjen për mbështetjen që autoritetet italiane i kanë dhënë Policisë së Shtetit ndër vite.
“Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, si në aspektin operacional, ashtu edhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit”, tha Hita.
Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu kontributi i partnerëve italianë në Akademinë e Sigurisë, përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe përdorimit të literaturës profesionale në procesin e formimit të efektivëve.
Në përfundim, palët riafirmuan angazhimin për të thelluar partneritetin strategjik, për të rritur shkëmbimin e informacionit dhe për të zhvilluar iniciativa të reja të përbashkëta në përballjen me kërcënimet ndërkombëtare të sigurisë.
Lini një Përgjigje