Dy zyrtarë të lartë të Policisë Gjyqësore Federale në Belgjikë kanë ngritur alarmin për rritjen e ndikimit të rrjeteve kriminale shqiptare, duke i cilësuar ato si sfidën më të madhe aktuale për autoritetet belge në luftën kundër krimit të organizuar.
“Sot po shohim se mafia shqipfolëse është sfida jonë më e madhe”, deklaroi Yve Driesen, drejtor i Policisë Gjyqësore Federale në Anversë, në një intervistë për gazetën belge De Morgen.
Pesë vjet pas ndërhyrjes së bujshme në platformën e koduar SKY ECC, ai dhe homologu i tij në Bruksel, Eric Jacobs, kanë bërë një bilanc të situatës së krimit të organizuar në vend.
Në mars të vitit 2021, policia federale belge kreu mbi 200 kontrolle të njëkohshme pas dekriptimit të platformës së komunikimit të koduar SKY ECC, e përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale ndërkombëtare. Sipas autoriteteve, nga analizimi i mesazheve të enkriptuara u arrit të ndiqej komunikimi i mijëra personave të përfshirë në trafikun e drogës.
Drejtuesit e policisë deklarojnë se operacioni çoi në mijëra arrestime, sekuestrimin e qindra tonëve drogë dhe konfiskimin e miliona eurove pasuri kriminale. Shumë nga figurat kryesore që operonin në portin e Anversës janë dënuar ose ndodhen aktualisht në burg.
Megjithatë, sipas tyre, goditja krijoi një boshllëk që u mbush shpejt nga grupe të tjera kriminale.
“Ata që dominonin atëherë sot janë kryesisht jashtë loje. Por vrimat që u hapën, mbushen shpejt”, u shpreh Driesen.
Sipas dy drejtuesve, rrjetet shqiptare, siç i cilësojnë ata, kanë fituar terren të konsiderueshëm, duke kontrolluar të gjithë zinxhirin logjistik të trafikut të kokainës: nga burimi në Amerikën e Jugut, transporti drejt Europës, infiltrimi në porte, deri te shpërndarja në rrugë.
“Mafia shqiptare ka fituar jashtëzakonisht shumë terren. Ata kontrollojnë të gjithë zinxhirin logjistik”, deklaroi Driesen.
Ai shtoi se, ndryshe nga modele të mëparshme kriminale, këto rrjete nuk mbështeten domosdoshmërisht në korrupsion politik, por në manipulimin e zinxhirit të furnizimit, përfshirë informacionin mbi kontrollet doganore dhe nxjerrjen e kontejnerëve nga portet.
Edhe OKB-ja dhe Bashkimi Europian, sipas intervistës, kanë raportuar më herët se grupe nga Shqipëria dhe Serbia kanë siguruar furnizime direkte të kokainës në Peru, duke shmangur ndërmjetësit tradicionalë dhe duke ulur kostot.
Në Bruksel, autoritetet raportojnë për rritje të tensioneve mes grupeve kriminale, përfshirë elementë të lidhur me botën e krimit rreth Marsejës.
Jacobs bëri një dallim mes modeleve të dhunës së grupeve të ndryshme. Sipas tij, disa grupe që veprojnë në Bruksel përdorin armë zjarri në mënyrë të pakontrolluar, duke rrezikuar popullsinë civile, ndërsa për rrjetet shqiptare ai përdori termin “veprim kirurgjikal”, duke pretenduar se sulmet e tyre janë më të targetuara.
Këto janë vlerësime të drejtuesve të policisë belge dhe nuk shoqërohen në intervistë me statistika zyrtare krahasuese mbi nivelin e dhunës.
Pas rastit SKY ECC, sipas autoriteteve, rrjetet kriminale kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit. Periudha e përdorimit masiv të një sistemi të vetëm të koduar konsiderohet e mbyllur.
“Tani punojnë më me kujdes dhe e fragmentojnë komunikimin”, tha Driesen, ndërsa Jacobs shtoi se mesazhet shpërndahen në disa platforma, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Policia belge kërkon më shumë investime në kapacitete për dekriptim dhe analizë të të dhënave. Sipas Driesen, hetuesit janë përballur me rreth një miliard mesazhe tekstuale, zanore dhe materiale vizuale, çka ka kërkuar angazhimin e ekspertëve të IT-së, financës dhe analizës së të dhënave.
Lini një Përgjigje