
Erjon Alibej, një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, në atë që njihet si procesi ‘Plumbi i Artë’ që po zhvillohet në GJKKO, ka zbuluar të tjera detaje për vrasjet e porositura, financimet, lidhjet kriminale dhe funksionimin e rrjeteve kriminale.
Gjatë seancës së sotme, Alibej foli për rolin në vrasjen e Dorjan Shkozës, vëllezërve Haxhia dhe përpjekjet për të gjetur Talo Çelën.
Alibej pranoi se për vrasjen e Dorjan Shkozës kishte paguar 100 mijë euro, ndërsa armët u blenë në Tiranë me çmime që varionin nga 500 deri në 3,500 euro.
Alibej tregoi se kishte takuar Nuredin Dumanin pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, por që me të ishte në kontakt të vazhdueshëm. Ai diskutoi me Dumanin edhe për Talo Çelën, duke pyetur nëse do të “bëhej i gjallë” pas vrasjes së Shkozës.
Alibej zbuloi se Dumani kishte lidhje me “çunat e Fushë-Krujës”, por nuk dinte emrat e tyre. Një nga bashkëpunëtorët e Dumanit ishte Klevis Alla, i cili kishte parë Talo Çelën tek shtëpia e vëllezërve Haxhia.
Në platformën e enkriptuar Sky ECC, Alibej komunikonte me Plarent Dervishin, i cili përdorte kodet “Barcelona” dhe “Ghost”.
Në një nga mesazhet, Dervishi i shkruan Alibejt: “mbohet qefi që e ke gjetur Talo Çelën?”, një detaj që e habiti atë, i cili më pas u kujtua se Dervishi kishte lidhje të forta me Festim Qolin.
Për të fituar besimin e Dumanit, Alibej i kishte dhënë atij një automjet Toyota të vjedhur (të blerë në Shijak) dhe armët, të dorëzuara në pazarin e Rrogozhinës. Më pas, Dumani kërkoi 50 mijë euro, por Alibej i dërgoi 150 mijë për të treguar se kishte fonde dhe për të forcuar besimin.
Alibej rrëfeu se për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kishte dhënë Dumanit 2 kallashnikovë dhe 1 pistolë. Planifikimi fillestar ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, por si viktimë e paplanifikuar doli edhe Viktori.
Pas vrasjes, Alibej mori vesh nga lajmet dhe pyeti Dumanin pse kishte gjurmë gjaku në makinë. Dumani u përgjigj: “kemi qëlluar me xhama të mbyllur dhe ‘Kusho’ është lënduar në këmbë.” Më pas, një i quajtur “Nipi” u shoqërua me polici, dhe Dumani tha se ky po fliste shumë, duke u informuar nga komshinjtë, përfshirë një mik të tij i quajtur “Miri Pojes”
Alibej zbuloi detaje të reja rreth vrasjes së rastësishme të Viktor Haxhias, përdorimit të uniformave të rreme dhe komunikimeve sekrete me Nuredin Dumanin pas vrasjeve. Ai pranoi se vrasja e Viktor Haxhias ishte një gabim. Në atë makinë kishte qenë edhe Altin Ndoci, i cili u largua pak para sulmit.
“Ata nuk e dinin që ishte Viktori në makinë. Menduan se ishte Altin Ndoci,” tha Alibej.
Ai diskutoi me Nuredin Dumanin edhe për mundësinë për të vrarë Ndocin gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia, por ky plan dështoi sepse Ndoci nuk u shfaq në ceremoni.
Një nga zbulimet e sotme ishte përdorimi i uniformave të rreme të OFL-së dhe policisë. Alibej tregoi se kishte një mik në Kukës, Bujar Germizin, i cili i furnizoi me veshje të falsifikuara.
“I thashë Nuredinit: ‘Keni nevojë për uniforma si të OFL-së?’ Ai pranoi, dhe Bujari më dha disa jelekë dhe këpucë me shkrimin ‘OFL’. Ato u prodhuan në Kosovë, por unë i mora në Kukës dhe ia dhashë Nuredinit,” rrëfeu Alibej.
Alibej zbuloi se pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, Talo Çela kishte qëndruar në shtëpinë e tyre, një informacion që ai e mori pasi Klevis Alla filloi të nxirrte emra.
Ndërkohë, Nuredin Dumani u fsheh në Spille tek e vjehrra, pasi dyshonte se po flitej për të në media. Policia i bëri një vizitë banesës së tij, por ai kishte ikur tashmë.
“Unë flisja vazhdimisht me të në Sky ECC,” tha Alibej.
Lini një Përgjigje