TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Shtator 2025, 08:51

Me pantallona të shkurtra e pranga/ Ekstradohet në Shqipëri Soni Pepa, RENEA e pret në Rinas (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Me pantallona të shkurtra e pranga/ Ekstradohet në Shqipëri Soni

Pepa ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”...

Soni Pepa i arrestuar në Republikën Domenikane pak ditë më parë është ekstraduar në Shqipëri. Policia e Shtetit ka publikuar pamjet kur Pepa, i cili dyshohet se është pjesëtar i një prej organizatave më të mëdha të trafikut të kokainës, mbërrin në aeroportin ‘Nënë Tereza’ atje ku e prisnin dhjetra efektivë të RENEA.

Me pantallona të shkurtra dhe me pranga në duar, Pepa zbritet nga avioni dhe transportohet drejt Drejtorisë së Policisë, për të vijuar me procedurat, ndërsa ndaj tij GJKKO ka caktuar masën e sigurisë së arrestit me burg.

“Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar Soni Pepa, alias Vilson Pepa, 41 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Në vijim theksohet se si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


Kush është Soni Pepa

Emri i Soni Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, përfshirë 600 kilogramë të sekuestruar në Roterdam të Holandës, në nëntor 2020, dhe financimin e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.

Raportet ndërkombëtare tregojnë se ai i përkiste një rrjeti kriminal transnacional që vepronte në Evropë dhe Amerikën e Jugut, duke përdorur portin Villetas të Paraguait si pikë nisjeje për ngarkesat me destinacion Belgjikën.

Ai u arrestua në Distriktin Kombëtar, ndërsa iu gjet një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe para cash.

Pas kapjes së tij, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Imigracionit për procedurat e deportimit në koordinim me OCN-INTERPOL Santo Domingo.

Në dosjen e SPAK, që bazohet në komunikimet përmes aplikacioneve Sky Eç, Pepa njihej me nofkën ‘Zhuu’.

“Kam shumë lek në Holandë, s’po i nis dot. Nga konteksti i bisedës dyshohet se me nofkën “shijaksi”, Ervis Cela i referohet shtetasit Fadil Balla, për të cilin pyet vëllain tij nëse ka dorëzuar ndonjë shumë parash.

Të njëjtën pyetje ka dhe për shtetasin Soni Pepa, të cilit i referohet me nofkën “Zhuu””, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK, publikuar pak kohë më parë.

Emri i Soni Pepës ka rezultuar në komunikimet mes anëtarëve të organizatës që dyshohet se ka trafikuar kokainë dhe vlerë disa milionë euro.

Referuar publikimeve të mëparshme, Soni Pepa, ortak me Ervis Çelën në trafikun e kokainës në Itali dhe në tregun europian sillte paratë në Shqipëri.

Në datën 6.11.2020, Ervisi i shkruan Soni Pepës: Ke shofer gati?

Takimet me shoferët shqiptarë bëheshin në Ankona ose Bari. Shoferët udhëzoheshin qartë, ndërkohë që duhej të dorëzonin pakot në destinacion.

Në një bisedë të datës 22. 07. 2020 Elidoni i tregon Soni Pepës se ai dërgon vetëm lekë e merr porosi dhe i dërgon nga një vend në tjetrin ‘nuk ngatërrohet me mall’

Soni Pepa: Punon me mall ti apo me autobus?

Elidon Çela: Une vetëm lekë çojm nuk ngatërrohem me mall. i bëj tulla tulla.. Lidhem direkt me robin dhe ja dorëzoj në dorë.. se s’kan pa lekë me sy në Shqipëri.. i bie të fikët po panë thesin.

Më 26 korrik 2020 Soni Pepa i shkruan Albin Çelës se 250 (dyshohet 250 mijë euro) nisen me Kujtimin ndërsa 250 mijë të tjera me tjetrin.

Më 8 gusht 2025, Prokuroria e Posaçme deklaroi se goditi një ndër organizatat më të mëdha të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në vendet e BE-së, e cila i pastronte paratë në Shqipëri me kompani biznesi, resorte dhe pasuri të patundshme. Në krye ishin Franc Çopjes, alias Franc Gergely, aktualisht i arrestuar në Belgjikë për vepra penale të trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal dhe Ervis Çela i cili në atë kohë jetonte në Paraguaj. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje