TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Shtator 2025, 10:19

Merrnin deri në 35 mijë dollarë, goditet rrjeti që trafikonte njerëz në SHBA dhe Kanada; kush janë 3 të arrestuarit

Shkruar nga Pamfleti

Merrnin deri në 35 mijë dollarë, goditet rrjeti që

Tre persona janë arrestuar pasi akuzohen si të përfshirë në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore drejt Kanadasë e Shteteve të Bashkuara. 

Sipas policisë, në pranga ranë: Cerkez Nikoci, Hazir Maçi dhe Ardjan Pirani.

Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, Hazir Maçi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kontrabanduar disa shqiptarë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Më pas dërgoheshin në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera me qëllim final dërgimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Për këtë ata siguronin dokumente udhëtimi të falsifikuara.

Gjithashtu, dyshohet se i Maçi, me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.

"Goditet një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore. Operacioni policor i koduar "Rrjeti",  nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës.

Arrestohen 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, e njohur ndryshe si dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj.

Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, L. M., 58 vjeç dhe C. N., 62 vjeç.

Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.

Policia e Shtetit gjen dhe një herë rastin të falënderojë Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, partnerët ligjzbatues amerikanë DSS/OCIU këtu në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, të cilët kanë koordinuar dhe bashkërenduar ngushtë punën me agjencitë e tyre homologe në Republikën e Kosovës dhe Republikën Domenikane, por dhe me partnerë të tjerë ligjzbatues në Policinë e Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali. Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar", njofton policia.

Lini një Përgjigje