Ragip Gila, i dyshuar si autori i vrasjes së trefishtë që tronditi qytetin e Shkodrës, ka mbërritur këtë të enjte në Gjykatën e Shkallës së Parë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën më të rëndë të sigurisë, “arrest me burg”, ndërsa seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie.
Gjyqtare e çështjes është Ermira Dedja, ndërsa prokuror i çështjes është Pjerin Çukaj.
Sipas hetimeve paraprake, Gila akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Krajës, si dhe për plagosjen e rëndë të Erogen Vasos dhe Meri Kacerrit, gjatë një atentati që ndodhi pak ditë më parë në Shkodër.
Si ndodhi ngjarja
Sipas burimeve nga vendngjarja, Ragip Gila mbërriti me motor para lokalit ku po pinin kafe disa persona dhe hapi zjarr me armë automatike. Në vendngjarje mbeti i vdekur në mënyrë të menjëhershme Armando Pali, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Vaso dhe një grua e identifikuar si kalimtare e rastësishme.
Pasi kreu atentatin, Gila u largua fillimisht me motor dhe më pas hipi në një automjet tip BMW X5, ngjyrë gri, me të cilin tentoi t’i shpëtonte ndjekjes së policisë. Por në dalje të qytetit, automjeti u aksidentua. Ragip Gila braktisi makinën dhe u përpoq të largohej në këmbë drejt lumit Kir, por u kap nga forcat “Shqiponja” pas një ndjekjeje intensive në terren.
Kush është Ragip Gila, profili i një kriminali të rrezikshëm
Ragip Gila kishte rënë më parë në prangat e policisë më 6 dhjetor 2023, gjatë operacionit të koduar “Imazhi Fals”. Në atë kohë, në banesën e tij u gjet një arsenal i plotë armësh dhe pajisjesh luftarake, që dyshohej se do të përdoreshin për krime mafioze në Shkodër dhe më gjerë.
Policia i sekuestroi:
7 jelekë antiplumb
3 maska fytyre
2 paruke dhe 2 palë doreza
Municion luftarak
Një armë gjahu
Një kokore metalike
Një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa
Gila u arrestua në flagrancë për veprat penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”
“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”
Pas disa muajsh paraburgim, ai përfitoi masë më të butë sigurie dhe doli nga burgu, duke u kthyer sërish në qendër të skenës kriminale.
SPAK-u po heton gjyqtarin që e liroi nga burgu.
Lini një Përgjigje