
Një 25-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me 3 plumba në Itali. Ngjarja ka ndodhur në Montecalvoli, një fshat i vogël në komunën e Santa Maria a Monte, në provincën e Pizës.
Viktima është identifikuar si Kevin Muharremi. Sipas autoriteteve italiane, ai u vra rreth orës 5:30 të mëngjesit, ndërsa ndodhej si pasagjer në një makinë, që po ecte në qendër të qytetit.
Ai po kthehej nga një festë, kur u qëllua nga një tjetër automjet në drejtim të 25-vjeçarit. Banorët e zonës pohuan se kanë dëgjuar të paktën 3 të shtëna.
Komanda e Karabinierëve të provincës po heton incidentin. I riu ka marrë një plumb në qafë, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Referuar dinamikës së ngjarjes, viktima ishte ulur në sediljen e parë të pasagjerit, kur një makinë tjetër kaloi paralelisht dhe qëlloi në drejtim të 25-vjeçarit.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se konflikti mund të ketë ndodhur si pasojë e një grindjeje.
Vrasësi ishte në një makinë me një person tjetër, i cili më pas iku nga vendi i ngjarjes. Hetuesit po shqyrtojnë kamerat e mbikëqyrjes në zonë, përfshirë kamerat e targave. Oficerët e karabinierisë po intervistojnë gjithashtu disa dëshmitarë.
Lini një Përgjigje