TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Gusht 2025, 12:37

"Nuk më zinte gjumi"/ Krimi i paralajmëruar i Divjakës, autori erdhi nga Italia për t'u hakmarrë

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk më zinte gjumi"/ Krimi i paralajmëruar i Divjakës,
Viktima, 32-vjeçari Besmir Kumria

Zbardhen detaje nga ngjarja e rënë në Divjakë ku 25-vjeçari Xhesion Toromeni goditi për vdekje me thikë 32-vjeçarin Besmir Kumria, pas sherrit për një kanal vaditës. 

Xhesion Toromeni kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer në fshatin kryekuq të Divjakës, pasi jetonte prej 7 vitesh në Itali. Mesnatën e së martës ai shkoi në lokalin e fshatit ku Besmir Kumria po qëndronte me miqtë e tij. 

Pa thënë asnjë fjale, Toromeni ka zbritur nga makina me thikë në dorë dhe ka sulmuar për vdekje bashkëfshatarin e tij. Viktima nuk e ka njohur autorin, ndërsa ky i fundit e goditi dy herë me thikë në pjesën e barkut. 

32-vjeçari tentoi të largohej, por pas disa metrash ka rënë përtokë i vdekur, ndërsa autori u largua me automjetin e tij, gjakftohtë.  

Tre orë më pas, në tentative për t’u larguar drejt Fierit, vrasësi iu përgjigj telefonatës së efektiveve të policisë duke u treguar vendndodhjen e tij. 

Gjatë arrestimit ai i tha policëve se Besmiri ka goditur me shpullë babain e tij dy vjet më parë. 
Konflikti mes familjeve Kumria dhe Toromeni në Kryekuq të Divjakës, është i hershëm dhe ka nisur për radhën e vaditjes se parcelave bujqësore me ujin e kanalit vaditës. Dy vite me parë, ky ishte motivi i deklaruar nga anëtarët e familjeve në komisariatin e policisë Divjakë, ku përfunduan pas një konflikti fizik mes tyre. 

Burimet nga ky komisariat thanë se konflikti ishte i njohur për policinë dhe se dy vjet më parë janë proceduar penalisht anëtarë nga të dyja familjet. 

Banesat e familjes së autorit dhe të viktimës, i ndan vetëm rruga e fshatit kryekuq. Përveçse fqinj, familjet Toromeni dhe Kumria kanë edhe lidhje krushqie. 

Konflikti për ujin e tokës është zhvilluar mes anëtarëve të moshuar të familjes kurse të rinjtë, si autori ashtu edhe viktima kanë jetuar dhe punuar larg vendlindjes. 

Besmir Kumria punonte si elektriçist në zonën e Himarës së bashku me vëllain ndërsa vrasësi i tij për 7 vjet nuk kishte shkelur në Kryekuq. 

Ky i fundit mbërriti disa ditë më parë për arsye ende të paqarta, por burime pranë të afërmve te tij citojnë te riun të këtë thënë: “Nuk më zë gjumi që prej dy vitesh kur më qëlluan babain me shpullë”.  

Policia po merr në pyetje dëshmitarë dhe anëtarët e dy familjeve për të dokumentuar ngjarjen, rrethanat dhe motivin. 

Bashkëfshatari i familjeve Kumria dhe Toromoni thotë se shkak i konfliktit mes dy familjeve është toka. 

Paraprakisht policia e Fierit ka ngritur dy akuza ndaj 25-vjecarit, “vrasje me paramendim” dhe “mbajtje pa leje e armeve te ftohta”. Ndërsa policia vijon hetimet lidhur me ngjarjen. 

Lini një Përgjigje