
Një 50-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme në Laç. Policia ka arrestuar autorin, 33-vjeçarin Eraldo Dibra alias Eraldo Basha.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 për motive të dobëta. Gjatë konfliktit fizik, 50-vjeçari me inicialet A.H banues në fshatin Gjormë, u godit në krah dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Laçit, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi: -E. D., alias E. B., 33 vjeç, banues në Laç.
Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në Laç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), në krah, shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje