Kronike17 Maj 2024, 18:15

Operacioni i SPAK, zbulohen emrat e 3 efektivëve të shpallur në kërkim; mes tyre dhe policë të RENEA

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni i SPAK, zbulohen emrat e 3 efektivëve të shpallur në

Zbulohen emrat e 3 efektivëve të Policisë së Shtetit që SPAK ka lëshuar urdhër arrest në kuadër të operacionit të sotëm.

Bëhet fjalë për Ergert Mitrin, i cili më herët ka pasur pozicion si drejtues i Policisë Lezhë, Klodian Jasharin, Shef i Sektorit të Hetimi Vlorë dhe Altin Morinën, ish efektiv i RENEA.

Ky i fundit është një emër i njohur edhe për publikun, pasi është ndaluar edhe disa muaj më parë nga policia, pasi iu gjetën 113 mijë euro në mjetin luksoz. Paratë të prerjeve 50, 200 dhe 500 euro ishin të mbështjella me qese marketi. Para uniformave blu Morina është shprehur se nuk ka kryer asnjë vepër penale pasi sipas tij paratë janë të ligjshme dhe janë tërhequr në bankë.

Ai është shprehur se paratë sapo i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen në zonën e Kodrës së Diellit kur ndërhyri policia, e cila e kishte survejuar pas sinjalizimeve të marra në rrugë operative.

Ditën e sotme Policia, FNSH dhe RENEA kanë nisur aksion në disa qytete të vendit që në orët e para të mëngjesit me qëllim kapjen e kokave të krimit në vend.

Aksioni ka si qëllim zbardhjen e ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik vitet e fundit, ku protagonistë janë klani Duka, Avdylajt dhe Endrit Dokle që dyshohen si organizator dhe si persona që kanë dijeni për fatin e biznesmenit të lojërave të fatit.