
Një automjet luksoz tip “Ferrari” me vlerë rreth 600 mijë euro, është sekuestruar nga policia shqiptare në kuadër të operacionit të koduar “Red”, i zhvilluar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti drejtohej nga shtetasi E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi për trafik ndërkombëtar droge. Dyshohet se Ferrari është përfituar pikërisht nga të ardhurat e kësaj veprimtarie kriminale.
Për të shmangur kontrollin dhe sekuestrimin, automjeti ishte regjistruar në emër të një 36-vjeçari, shtetasit S. Ll., ndërsa në Shqipëri ishte sjellë nga një tjetër person, konkretisht shtetasi A. L., 30 vjeç, që vepronte për llogari të E. V.
Të tre personat janë vënë nën hetim penal, ndërkohë që hetimet për pasurinë e E. V. vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë, me qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e çdo aseti të përfituar nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Operacioni është finalizuar nga Sektori për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, dhe vjen si pjesë e një fushate më të gjerë për goditjen e krimit të organizuar dhe të ekonomisë kriminale që operon në disa shtete.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet nuk ndalen me sekuestrimin e Ferrarit, por pritet të shtrihet edhe mbi pasuri të tjera të afërmve të E. V., për të verifikuar nëse janë të lidhura me veprimtarinë e tij në Turqi.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, që ka tashmë në dorë dosjen dhe vendimmarrjen për sekuestrime të tjera.
Lini një Përgjigje