
Zbulohet stilolapsi pistoletë që u përdor për plagosjen e 15-vjeçarit në Tiranë pak ditë më parë.
Ngjarja ndodhi në zonën e “Ali Demit” dhe pas një konflikti, shoferi i picerisë 21-vjeçari, Aldi Neziri ka plagosur me një “pistoletë stilolaps” një 15-vjeçar. Policia ka gjetur sot armën e përdorur nga autori.
"Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 01.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi A. N, 21 vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçar", shprehet policia.
Pas ngjarjes në kërkim u shpall Aldi Neziri (autori) dhe Leonardo Mejdani (Administratori). Ndërkohë që janë arrestuar dhe punonjësit e picerisë: Ferit Basha, Andi Kyka dhe Keivin Bala. Pas arrestimit të Nezirit, mbetet në kërkim administratori i picerisë. Ndërsa Neziri u arrestua po sot dhe ka tregur se ku kishte fshehur armën.
Në dukje një ngjarje aksidentale, plagosja ka ngritur pikëpyetje të mëdha për hetuesit se çfarë ndodhi vërtetë, pasi deri më tani të përfshirët, tentojnë të fshehin çdo gjurmë.
Arsyet janë të shumta. I mituri, i cili kishte nisur punë vetëm 2 javë më parë në picerinë e kushëririt të tij në zonën e “Ali Demit”, nuk ishte i deklaruar.
Pasditen e së dielës, ai ndodhej ulur në një tavolinë me kushëririn administrator Leonardo Mejdani dhe kolegun, shpërndarës picash, 21-vjeçarin Aldi Neziri. Për motive të paqarta ende, punonjësi nxjerr një armë zjarri të modifikuar në formë stilolapsi, dhe godet me plumb në qafë të miturin, i cili u transportua në spitalin e Traumës. Askush nuk njoftoi policinë, por u kujdesën të fshehin gjurmët e asaj çfarë kishte ndodhur.
Lini një Përgjigje